Nga bashkëpunëtori ynë, Dritan Gremi
Abruzzo, 9 Prill NOA - Tërmeti i rënë natën e 6 prillit duke u gdhirë dita e hënë, në qytetin Aquila, në rajonin e Abruzos, do të kujtohet sigurisht si tragjedia më e madhe që ka prekur Italinë në 100 vjetët e fundit.
Shifrat e deritanishme mbi të vdekurit dhe dëmet materialet i përngjasin më tepër atyre të një buletini lufte ose të një bombardimi.
Vetëm deri tani numërohen rreth 281 të vdekur, 1500 të plagosur, e mbi 70 mijë të pastrehë.
"Mjaftoi" kjo "shaka e hidhur natyrës" që për disa minutash të kthente qytetin e Aquilës dhe disa provinca të tij në fantazma, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë, ku buzëqeshja dhe qetësia e banorëve të atyre zonave të shndërrohej në ankth, tmerr, pasiguri, trishtim, vdekje dhe pasiguri.
E pra, ky është "skenari dramatik" i çdo tragjedie njerëzore, ku si gjithnjë natyra orkestron regjinë makabër në kurriz të njerëzve të pafajshëm, ku familje të tëra kanë ngelur nën gërmadha, nëna të cilat duke përdorur trupin e tyre si mburojë, me dashurinë e tyre janë flijuar për të mbrojtur jetën e fëmijëve të tyre, e kur në disa raste, "skenari shekspirian" i natyrës nuk i kurseu jetët e fëmijëve duke lënë pa jetë, nën kurthin e rrënojave, të shtrënguar bashkë me njëri tjetrin, nënat me "engjëjt" e tyre që deri në fund, me aq dashuri tentuan ti mbronin.
Mbi 70 mijë të pastrehë me ankth e lot në sy, vetëm brenda një nate asistuan në shembjen e shtëpive të tyre që me aq shumë mund dhe djersë kishin ndërtuar në vite.
Brenda një nate 70.000 vetë u gjetën përballë një udhëkryqi ku secila nga rrugët e tij ishte pa krye.
Dhe sikur e gjithë kjo të mos mjaftonte, toka vazhdon të dridhet, duke sjellë dhe si pasojë ndërprerjen e kërkimeve për të shpëtuar trupa akoma në jetë. E pra, do të duhet shumë kohë që plagët e dhimbjet e krijuara këtyre njerëzve të mbyllen, sepse në këto raste koha është ilaçi më i mirë.
Do të duhet shumë durim, punë e sakrifica që populli i Aquilanëve siç thirren ndryshe në vendin fqinj, t'i kthehet normalitetit.
Do të duhet shumë kohë që fëmijëve t'i kthehet buzëqeshja, sepse kjo tragjedi tashmë ka lënë "shenjën" e saj në shpirtrat e tyre të pafajshëm, do të duhen vërtet vite që gjithçka të harrohet.
Do të duhet shumë punë dhe kohë ku të gjitha veprat e monumentet e artit, kishat e 1500 të cilat karakterizonin qendrën historike të qytetit të Aquilës të kthehen në identitet.
Megjithatë, populli italian është një popull solidar i cili ndër shekuj ka ditur t'i bëjë ballë situatave nga më tragjiket dhe jemi të sigurt që edhe këtë herë do t'ia dalë mbanë.
Qeveria italiane, e vetë Kryeministri Berluskoni i janë gjendur pranë qytetarëve të zonave të dëmtuara që në orët e para të tragjedisë.
Kryeministri Berluskoni këtë radhë demonstroi që përveçse është një burrë shteti i devotshëm dhe efikas në detyrën e tij, duke shkuar çdo ditë dhe qëndruar në krye të shtabit të emergjencës në Aquila, vuri në dukje se mbi të gjitha është njeri dhe human. E pra, jam shumë i bindur që Italia edhe këtë herë "ce la farà a alzaersi in piedi" (do t'ia dalë të ringrihet).
I bëjmë urimet tona më të sinqerta popullatës së dëmtuar të Abruzos, duke uruar që buzëqeshja, qetësia dhe normaliteti të rikthehet sa më shpejt në jetët e tyre të përditshme.
d.g/NOA