English

Zhvillohet faza finale e konkursit "Vlera e vërtetë e parasë!" në shkollat e Shkodrës

Shkodër, 9 Prill NOA - Banka e Shqipërisë, në zbatim të programit të edukimit "Banka Qendrore në Jetën e Përditshme", ka zhvilluar me nxënësit e viteve të treta të të gjitha shkollave të mesme të rrethit të Shkodrës konkursin "Vlera e vërtetë e parasë!".

Konkursi, është një prej aktiviteteve të përfshira në Memorandumin e Bashkëpunimit, të nënshkruar midis Ministrisë së Arsimit dhe Bankës së Shqipërisë në datën 13 dhjetor 2007, i cili synon të zgjerojë njohuritë e nxënësve rreth rolit të bankës qendrore në ekonominë e vendit si dhe të rrisë zhvillimin e kulturës ekonomike të vendit.

Aktiviteti u zhvillua në teatrin "Migjeni" ku pjesëmarrës ishin 17 shkolla të rrethit të Shkodrës. Ai u ndoq nga nxënës, mësues, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të rrethit si dhe familjarët e pjesëmarrësve.

Në hapjen e konkursit, Guvernatori Fullani bëri publik vendimin e Bankës së Shqipërisë për ta shndërruar garën midis shkollave të mesme nga rajonale në një takim kombëtar.

"Para një viti, në prill 2008 ky konkurs shënoi fillimin e tij në qytetin e Tiranës. Atëherë u premtova nxënësve që shumë shpejt konkursi do të jetë kombëtar. Të gjithë nxënësit e Shqipërisë do të kenë mundësinë të jetojnë këtë përvojë interesante në jetën e tyre, për të na dhënë edhe ne një kënaqësi të veçantë. Sot jam këtu para jush me këtë premtim të mbajtur!" tha z. Fullani para të pranishmeve në takim. Â

Skuadra fituese e kësaj gare të gjatë në Shkodër, do të konkurrojë në fazën finale që do të zhvillohet në rang kombëtar 5 qershor 2009 në qytetin e Tiranës.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në cilësinë e Kryetarit të Jurisë, përgëzoi nxënësit, mësuesit e shkollave pjesëmarrëse si dhe Drejtorinë Arsimore të rrethit të Shkodrës për mbështetjen dhe realizimin e suksesshëm të këtij programi.Â

r.d/NOA

KOMENTE