English

Berisha: Arsimi, prioritet i qeverisjes time. Do të rris pagat e mësuesve

Korçë, 10 prill, NOA - Kryeministri Sali Berisha, gjatë një vizite sot në qytetin e Korçës, ka deklaruar se arsimi është në epiqendër të qeverisë që ai drejton.

Kryeministri Berisha ka vizituar qytetin juglindor të vendit për të marrë pjesë në përurimin e tre investimeve në infrastrukturën arsimore të këtij qyteti. Investimet kapin vlerën e 1.95 milionë dollarëve.

I shoqëruar nga drejtues të pushtetit vendor dhe deputetë të zonës, Kryeministri përuroi fillimisht përfundimin e punimeve të "Shkollës së Re", një investim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 1 milion dollarë dhe më pas rikonstruksionin dhe zgjerimin e ambienteve të reja të shkollës "Sevasti Qiriazi", me vlerë 650 mijë dollarë dhe rikonstruksionin e konviktit të shkollës profesionale "Demir Progri", me vlerë 300 mijë dollarë.

"Asgjë nuk do të ndikojë në të ardhmen e Shqipërisë më shumë sesa procesi i edukimit të fëmijëve"- u shpreh Berisha në fjalën e tij.

 "Në vitet 2006-2008 për arsimin në Korçë janë investuar nga buxheti i shtetit 6 milion dollarë, ndër të cilat 3 milion dollarë për infrastrukturën arsimore në qytet. Vetëm për zhvillimin e arsimit profesional janë investuar nga qeveria 2.2 milion dollarë", tha më tej Kryeministri Berisha në përshëndetjen e tij në "Shkollën e Re".

Ai bëri të ditur se në 4 vitet e fundit në Shqipëri janë rindërtuar ose ndërtuar 1012 shkolla.

Gjithashtu kryeministri premtoi se në 4 vitet që vijnë nuk do të ketë shkollë në vend që të mos jetë e re ose e rindërtuar, me sistem ngrohjeje, kabinete informatike, terrene sportive.

Berisha, Â garantoi se në 4 vitet që vijnë do të ketë zhvillime shumë të mëdha në moshën dixhitale. "Duke filluar nga muaji maj, në të gjitha shkollat e Shqipërisë do të ketë internet dhe qeveria do të bëjë çdo përpjekje që në 4 vitet që vijnë, nxënësit të kenë kompjuter dhe internet edhe në shtëpitë e tyre", premtoi Kryeministri.Â

Nga 1 maji, siç u shpreh kryetari i Qeverisë, të gjithë mësuesit e Shqipërisë do të marrin një pagë dy herë më të madhe sesa në vitin 2005. "Opozita më kërkon të mos rris pagat, opozita proteston se pagat po rriten me taksat e qytetarëve. Kjo është e vërtetë. Qytetarët e këtij vendi askund nuk mund t'i investojnë taksat e tyre më mirë, për fëmijët dhe mësuesit e fëmijëve të tyre. Ndaj, ne do t'i dyfishomë pagat në 1 maj dhe do të vazhdojmë rritjen e madhe gjatë 4 viteve që vijnë", theksoi ai.

Në premtimet e kreut të qeverisë zuri vend edhe angazhimi për rritjen e numrit të studentëve duke deklaruar se në vitin 2013 Shqipëria do të ketë 160 mijë studentë.

Ai siguroi se asgjë nuk do të mund të ndalë hovin drejt arsimit, edukimit dhe shkollimit.

"Në qoftë se në këto 4 vite, buxheti u dyfishua në 4 vitet e ardhshme do të jetë 2 herë më i lartë se ky që është sot", theksoi Kryeministri.

s.v/NOA

KOMENTE