Tiranë, 10 prill, NOA - Gjykata e Lartë ka nxjerrë më në fund vendimin përfundimtar ndaj çështjes "Basha", e cila ka si të pandehur kryesor ish-ministrin e Transporteve, Lulëzim Basha.
Përmes vendimit të publikuar sot nga ky institucion i lartë gjyqësor, kërkesa për gjykim ndaj ministrit Basha shpallet e pavlefshme dhe të gjitha veprimet e ndërmarra prej tij pas datës 6 nëntor, konsiderohen pa bazë.
Në këtë mënyrë i është dhënë fund një procesi mjaft të përfolur, i cili kishte në qendër të tij një përfaqësues të qeverisë për shpërdorime në shifrën e 230 milionë eurove me buxhetin e shtetit.
Gjykata e Lartë ka lënë kështu në fuqi vendimin e Apelit për të shpallur të pavlefshëm veprimet hetimore nga data 6 nëntor deri në 6 dhjetor të vitit të kaluar për dosjen e abuzimeve me tenderin e rrugës Durrës- Kukës, ku të pandehur ishin zv/ministri i Transporteve, Armand Teliti, ish-drejtori juridik i Rrugëve, sikurse dhe ish-ministri i Transporteve, Lulëzim Basha.
Herët e fundit seanca ndaj Bashës në Gjykatën e Lartë nuk ishte zhvilluar pasi njëherë ai mungoi se ndodhej në Forumin e Davosit, një herë tjetër data e caktuar qëlloi festë zyrtare, ndërsa herën e fundit avokati i Bashës deklaroi se nuk paraqitej dot ngaqë nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërsa një muaj më parë përballë këtij Kolegji Penal, pala mbrojtëse e ish ministrit të Transporteve kërkoi mbylljen e cështjes pasi, sipas avokatit, klienti i tij nuk është i pandehur pasi nuk i është komunikuar akuza nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, për abuzimet ndaj rrugës Rrëshen Kalimash. Pas një hetimi 1-vjeçar, Basha u akuzua nga Prokuroria e Përgjithshme për "shpërdorim detyre" dhe "favorizim në tendera" lidhur me fondet për ndërtimin e rrugës Rrëshen- Kalimash gjatë kohës kur drejtonte ministrinë e Punëve Publike. Dëmi i shkaktuar është 232 milionë euro.
n.e/NOA