Tiranë, 10 prill, NOA - Bashkëkryetari socialist i komisionit ad hoc, Kastriot Islami ka vënë alarmin në lidhje me procesin e kartave të identitetit.
Pas mbledhjes së sotme të këtij komisioni, ai deklaroi se ky proces rezulton me më shumë shqetësim se një javë më parë; "nga shpjegimet rezulton se gjendja është bërë më alarmante" - u shpreh Islami për mediat.
 Sipas tij, situata po përkeqësohet dhe rreziku po rritet në kuptimin e ezaurimit të kapaciteteve teknike për pajisjen me karta identiteti të votuesve pa pasaportë.
"Nëse e analizojmë informacionin e ardhur nga Ministria Brendshme të martën del se, ne kemi patur jo vetëm të drejtë, por situata paraqitet akoma më e rëndë."- tha ai.
Duke bërë një analizë në shkallë vendi, sipas deputetit socialist, koha është elementi i parë, që po bëhet e pamjaftueshme; në nivel makro edhe për vetëm pak ditë ndoshta 4-5 ditë dhe mund të flitet për pamundësi të realizimit të kësaj detyre.
Duke iu referuar statistikave, Islami, bëri me dije se, deri në datën 6 prill janë kryer 159 000 aplikime nga votuesit pa pasaportë ose vetëm rreth 22 për qind e numrit prej 730 mijë të votuesve pa pasaportë, ndërkohë që nga të dhënat e PS-së ky numër është më i lartë dhe mbetet për t'u saktësuar.
"Mbeten nga shifra 730 mijë për të aplikuar edhe 570 mijë votues pa pasaportë ose rreth 80 për qind e tyre; ose më shumë se 730 mijëshi rezulton i rritur;Â Numri total i kartave të tërhequra nga votuesit pa pasaportë dhe me pasaportë është vetëm 95 mijë, ndërkohë që i atyre pa pasaportë nuk jepet ende nga Ministria e Brendshme, por me siguri nuk do ta kalonte shifrën 35 mijë ose rreth 4.7 për qind e votuesve pa pasaportë."- tha Islami.
Ai parashtroi heqjen e taksës për kartat e identitetit për kategoritë e komunitetit të egjiptianëve, invalidëve, familjet në asistencë, pensionistët e fshatit, personat me aftësi të kufizuar.
Deputeti socialist në përfundim të analizës së PS-së për këtë çështje akuzoi qeverinë për indiferentizmin e saj në lidhje me këto kategori.
s.v/NOA