English

Italia sot në zi, kryhet ceremonia mortore e 287 viktimave të tërmetit

Romë, 10 prill, NOA - E premtja e sotme është shpallur një ditë zie kombëtare për të gjithë Italinë, e cila përcjell sot për në banesën e fundit 287 viktimat e shkaktuara nga tërmeti i pak ditëve më parë në zonën e Abruzzos.

Një funeral i madh shtetëror pritet të realizohet sot në nderim të tyre, ku do të marrin pjesë presidenti italian Xhorxho Napolitano si edhe kryeministri Silvio Berluskoni.

Që të dy këta personalitete të lartë të shtetit italian, kanë vizituar dje dhe pardje zonën e dëmtuar nga tërmeti dhe i kanë bërë thirrje vendit për më shumë bashkim dhe forcë për të kaluar pasojat e kësaj tronditje të rëndë.

Ceremonia do të zhvillohet në sheshin e kazermës së shkollës së Guardia di Financës në Akuila.

Gjatë qëndrimit presidenti Napolitano do të takojë autoritetet dhe të mbijetuarit e tërmetit, por në fillim ai do të bëjë homazh para arkivoleve të viktimave të tërmetit të cilat janë vendosur brenda ambienteve të shkollës së Guardia di Financës. Ndërkaq, thuajse kanë humbur shpresat për të gjetur ndonjë të mbijetuar nën rrënojat e tërmetit, ku ende po vazhdojnë kërkimet prej ditësh.

Mësohet se  toka vazhdon të dridhet ende në Akuila. Dje orën 21:40 minuta është ndjerë tronditja e radhës me një intensitet 4.9 ballë, bëjnë të ditur mediat italine. Qyteti i Akuilas është tronditur sërish nga tre tërmete të mëpasme, që nga lëkundjet të cilat goditën zonën e përfshirë nga tragjedia e 6 prillit.

Ndërkaq, në radhën e viktimave kanë qenë edhe 6 shqiptarë maqedonas që jetonin në shtetin fqinj.

n.e/NOA

KOMENTE