Tiranë, 10 prill, NOA - Komiteti shqiptar i Helsinkit i është drejtuar sot me një letër të hapur kryeministrit Berisha në lidhje me procesin e kartave të identitetit.
KSHH thotë se ka ndjekur dhe ndjek me vëmendje përgatitjet për zgjedhjet e 28 Qershorit 2009 në tërësi, dhe në veçanti edhe zbatimin e nenit 179 të Kodit Zgjedhor për pajisjen me përparësi me karta identiteti të zgjedhësve që nuk disponojnë pasaporta.
Në këtë vështrim, KSHH pohon se është njohur me vendimet e Këshillit të Ministrave, i cili ngarkohet të nxjerrë aktet përkatëse nënligjore të marra për këtë qëllim dhe në zbatim të nenit 179 të Kodit Zgjedhor, edhe me udhëzimet e Ministrisë së Brendshme.
Helsinki shqiptar konstaton se brenda një kohe relativisht të shkurtër, vendimet dhe udhëzimet e marra për këtë qëllim kanë pësuar disa herë ndryshime.
Në letrën e hapur për Berishën, shkruhet se "deri në një farë mase kjo tregon se problemi i pajisjes së zgjedhësve me karta identiteti, nuk i është nënshtruar diskutimeve dhe konsultimeve paraprake, ku do të përcaktoheshin jo vetëm detajet e këtij procesi, por edhe pengesat e mundshme që duhet të kapërceheshin."
Duke iu referuar dyshimeve të opozitës për realizimin në kohë të letërnjoftimeve, në letrën e KSHH shkruan në letër se "kryesorja e kryesoreve nuk është fatura financiare e kompensimit, por garantimi se të gjithë zgjedhësit që nuk disponojnë pasaporta, do të pajisen me karta identiteti."
Sipas kësaj organizate, qeveria ka detyrë të marrë të gjitha masat me qëllim që t'u garantojë shtetasve të vet mundësitë reale për të ushtruar të drejtën kushtetuese të pjesëmarrjes në zgjedhje. Â
Në fillim të letrës së hapur Komiteti shqiptar i Helsinkit i ka shprehur kryeministrit Berisha urimet për anëtarësimin e vendit tonë në NATO.
s.v/NOA