Tiranë, 10 Prill NOA - Ish-studentët e Grevës së urisë së vitit 1998 shprehen në mbështetje të kandidatit të tyre për kreun e FRPDSh-së, Ylber Gjeta, i cili garon me Gerti Bogdanin.
Në një memo që grupimi i tyre iu ka drejtuar mediave thuhet se "bazuar si gjithmonë në bindje patriotike dhe ideologji politike të djathta dhe të qendrës së djathtë jemi të gatshëm që të vazhdojmë të luajmë një rol vendimtar në bashkëpunim me të gjithë të rinjtë shqiptarë që iu bashkohen këtyre ideve, me qëllimin kryesor për rritjen dhe forcimin e vlerave politike të FRPDSh-së.
"Roli ynë vendimtar në forcimin e ndjenjave patriotike tek të gjithë të rinjtë Shqiptarë në vitin 1998 kur Shqipëria po kalonte momente të vështira politike nga frymëzimi i një politike antikombëtare të dirigjuara nga ish segmente të sistemit komunisto-majtist është një bazë e fortë dhe e palëkundur në bindjet tona për të vazhduar të luajmë rol pozitiv në FRPDSh në veçanti dhe në përgjithësi në zhvillimin e mëtejshëm politik dhe ekonomik të vendit tonë drejt realizimit të ëndrrës së madhe Evropiane", - thuhet në mero.
"Ne jemi të sigurt, - vijon deklarata, - se kontributi ynë duhet të vazhdojë të jepet në maksimumin e mundshëm në FRPDSh dhe në PDSh pasi vlerat e kombit tonë nuk mund të përfaqësohen askund më mirë se aty, dhe se vetëm nën qeverisjen e koalicionit të djathtë vendi ynë mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
Kurse mbyllja e mesazhit, është: "Ne ish studentët e grevës së urisë së vitit 1998 kemi vendosur që të mbështesim si kandidat për kryetar të FRPDSh Ylber Gjeta pasi besojmë se motoja jonë e përbashkët qëndrestaria dhe forcimi i bindjeve politike të djathta dhe të qendrës së djathtë kundër çdo bindjeje apo prurje të majte kudo qoftë kjo në vendin tonë mundet të realizohet vetëm nën drejtim e Forumit Rinor nga një ish grevist i vitit 1998 siç është z. Ylber Gjeta".
e.l/NOA