English

Nishani-De Kermabon, thellim bashkëpunimit ndërkufitar mes fqinjësh

Tiranë, 10 Prill NOA - Ministri i Brendshëm Z. Bujar Nishani priti në një takim kreun e misionit EULEX në Kosovë Z. Yves De Kermabon dhe delegacionin që e shoqëronte.

Nishani paraqiti në takim një përmbledhje të arritjeve të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme duke evidentuar në veçanti se në vitet e fundit janë goditur afro 300 grupe të krimit të organizuar dhe mbi 900 anëtarë të këtyre grupeve janë vënë para drejtësisë.

Po kështu, Nishani evidentoi edhe bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, falë të cilit janë ekstraduar për t'iu dorëzuar drejtësisë shqiptare rreth 250 persona të kërkuar për krime të ndryshme.

Ministri i Brendshëm informoi shefin e EULEX edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërkufitar me vendet fqinje, bazuar në marrëveshjet përkatëse që parashikojnë ndër të tjera edhe patrullime dhe operacione të përbashkëta.

Nishani vlerësoi ndërkohë se marrëveshja për bashkëpunim kundër krimit të organizuar me Kosovën ka dhënë frytet e veta me realizimin e disa operacioneve të rëndësishme të përbashkëta, kryesisht kundër trafikut të armëve.

Ministri i Brendshëm tha se siguroi shefin e EULEX Z.Yves De Kermabon për gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të agjencive të zbatimit të ligjit të Shqipërisë me ato të Kosovës dhe me praninë ndërkombëtare atje.

Kreu i Misionit EULEX Z. Yves De Kermabon vlerësoi arritjet e Shqipërisë në luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqeve të paligjshme, si dhe shprehu nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes agjencive të zbatimit të ligjit të Shqipërisë e Kosovës.

Kryetari i EULEX-it paraqiti në takim disa nga fushat kryesore ku është fokusuar ky mision në Kosovë, ndër të tjera monitorimi i veprimtarisë së strukturave shtetërore dhe atyre të zbatimit të ligjit, dhënia e eksperiencës për ngritjen e kapaciteteve administrative e profesionale dhe nxitja e bashkëpunimit të institucioneve dhe agjencive të zbatimit të ligjit në Kosovë me vendet fqinje.

e.l/NOA

KOMENTE