Shkodër, 9 Prill NOA - Në lidhje me ngjarjen e natës duke gdhirë të ditës së sotme të ndodhur në fshatin Vucaj të rrethit Malësi Madhe, Prokuroria e Përgjithshme ka lëshuar një deklaratë ku jep versionin e saj të incidentit të armatosur.
Drejtuesi i Prokurorisë Shkodër, Përparim Kulluri tha sot në mesditë, se natën e mbrëmshme, është njoftuar nga oficerë të policisë së Drejtorisë së Policisë Qarkut Shkodër se kishin rënë në përpjekje me armë me disa persona të armatosur në fshatin Vucaj të rrethit Malësi e Madhe.
Menjëherë pas njoftimit është ngritur grupi hetimor dhe është shkuar në drejtim të vendit të ngjarjes.
Vendi i ngjarjes ndodhet pikërisht në anën e rrugës automobilistike që lidh fshatrat Vucaj dhe Bratosh.
Kulluri tha se është realizuar takim i menjëhershëm me oficerët e policisë gjyqësore të gjendur në vendngjarje të cilët kanë shpjeguar se në zbatim të Planit-Operacionit miratuar nga Drejtori i Policisë Qarkut, "Për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën ë trafikut të lëndëve narkotike, dhe kapjen e personave në kërkim, në rrethet Shkodër, Malësi e Madhe".
Efektivat e Drejtorisë Policisë Shkodër kanë organizuar shërbime policore (grackë) në aksin rrugor të fshatrave Vuçaj - Bratosh. pas informacioneve të marra, se Gjergj Marvukaj (person në kërkim për veprën penale të plagosjes) dhe Sabah Vuçaj transportonin lëndë narkotike të armatosur.
Me qëllim kapjen në flagrancë të këtyre personave dhe në zbatim të Planit - Operacionit punonjësit e policisë Sejfulla Metko, Erdit Rreçeku, Erzen Cera, Pëllumb Shpati, Kreshnik Gjeçka, Besnik Shima, Ilmi Gjona, kanë organizuar shërbime-grackë duke u pozicionuar në anë të rrugës të fshatit me qëllim kapjen e këtyre personave.
Grupi i përbërë nga punonjësit e policisë Pëllumb Shpati dhe Kreshnik Gjeçka janë pozicionuar në fund të fshatit Vuçaj me detyrë konstatimin e mbajtjen nën vëzhgim të lëvizjeve të personave, e mjeteve që lëviznin.
Sipas Kullurit, me qëllim kapjen në flagrancë, punonjësit e policisë Sejfulla Metko, Erdit Rreçeku, Erzen Cera, Besnik Shima, Ilmi Gjona, janë pozicionuar në të dy anët e rrugës automobilistike afër fshatit Vuçaj.
Rreth orës 22.00, përgjatë rrugës së fshatit ka kaluar një person i cili mbante në dorë një thes ngjyrë gri duke vazhduar rrugën Vucaj - Zagorë.
Punonjësit e policisë Erdit Rreceku dhe Ilmi Gjona kanë vazhduar ndjekjen e këtij personi në këmbë pas konstatimit të faktit së ky person mbante në dorë një thes i cili dyshohej se mund të ishte me lëndë narkotike.
Pas rreth 50 metra nga vendi i shërbimit (grackë) punonjësit e policisë Erdit Rreceku dhe Ilmi Gjona kanë takuar në anë të rrugës një person i cili në njërën dorë mbante një thes ngjyrë të errët, në këtë kohë i janë afruar në distancë prej 2 metrash dukë i bërë thirrje "Policia" personi i lartpërmendur menjëherë iu ka drejtuar një armë zjarri automatik duke qëlluar në drejtim të tyre me breshëri, punonjësi i policisë Erdit Rreceku ka arritur t'ia shmangë drejtimin e armës duke u përleshur më të, në këtë kohë punonjësi i policisë Ilmi Gjona i ka shkuar në ndihmë këtij punonjësi policie, duke i bërë thirrje sërish "Mos lëviz policia".
Personi i sipërpërmendur ka kundërshtuar më forcë dukë mos e lëshuar armën nga dora dhe në këtë kohë vazhdonte të qëllonte me armë e cila ishte e kapur nga të gjithë këta persona.
Kjo përleshje me qëllim neutralizimin e këtij personi ka vazhduar disa metra në anën e poshtme të rrugës ku vendi ishte me gurë dhe shkurre.
Punonjësit e policisë kanë arritur t'ia heqin armën nga dora më ndihmën e punonjësve të tjerë ku pasi i është hequr arma nga dora është bllokuar duke i bërë përsëri thirrje "Policia mos lëviz".
I dyshuari, përsëri ka kundërshtuar me forcë duke goditur punonjësit e policisë me grushte, duke kafshuar me dhëmbë punonjësin e policisë Ilmi Gjona dhe me gurë etj. me qëllim për t'i shpëtuar arrestimit.
Gjatë kësaj kohe në përleshje e sipër personi është dëmtuar në kokë për shkak se vendi ishte me gurë e shkurre.
Gjatë momentit që punonjësit e policisë po përpiqeshin për neutralizimin e këtij personi, dy persona të tjerë të armatosur me armë zjarri automatike, qëllojnë në drejtimin e punonjësve të policisë për të shpëtuar shokun e tyre.
Në këtë moment punonjësit e policisë u kanë bërë thirrje "Jemi policia, mos qëlloni" ata kanë vazhduar të qëllojnë përsëri me armë zjarri automatike.
Në këtë kohë punonjësit e policisë Sejfulla Metko e Ilmi Gjona, kanë arritur që në befasi në përleshje trup më trup t'u heqin armët nga dora këtyre personave me ndihmën e një tjetër punonjësi të policisë.
Në kohën që u neutralizuan personat e mësipërm përreth vendit të ngjarjes dëgjoheshin të shtëna armësh automatike me breshëri.
Pas neutralizimit janë pyetur për emrat e tyre nga ku rezulton së këta persona quheshin Sabah Vuçaj, Besnik Vuçaj e Mondi Vuçaj.
Personi i parë Sabah Vuçaj ishte pikërisht ai që është kapur në flagrancë me lëndën narkotike e cila pas peshimit rezulton se është rreth 7 kg e 700 gramë si dhe një automatik me dy krehër me fishekë.
Ndërsa armët e kapura shtetasve Besnik Vuçaj dhe Mondi Vuçaj ishin një automatik model 56 me një karikator me 4 fishekë, një armë zjarri automatike model 63, dhe në trup me një karikator më 18 fishekë.
Sabah Vuçaj është dërguar për t'i dhënë ndihmën mjekësore duke e dërguar në spitalin rajonal Shkodër.
Si rezultat i kësaj përleshjeje janë dëmtuar dhe punonjësit e policisë Erdit Rreceku, Ilmi Gjona, ku dhe këta kanë marrë ndihmën mjekësore.
Prokurori Kulluri, tha se këqyrja e vendit të ngjarjes, për shkak të terrenit të thyer, dhe errësirës është ndërprerë, ndërkohë që rifilli gjatë ditës kurse po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe mekanizmin e saj.
r.d/e.l/NOA