Tiranë, 10 prill, NOA - Partia Socialiste akuzoi sot mazhorancën qeverisëse për premtime të pa realizuara në lidhje me uljen e papunësisë që nga 2005.
Nënsekretari për Programin në selinë rozë, Ervin Bushati, deklaroi sot për mediat se qeveria deklaron shifra absurde dhe fyese në lidhje me papunësinë.
"Qeveria deklaron se papunësia në fshat është vetem 2%. Niveli më i ulët i papunësisë në botë dhe kjo në kohë krize. Ndërkohë në qytete ky nivel shkon 28%, kur ka dhe qytete të mëdha si Shkodra ku niveli i papunësisë është në shifrat 45%. Sipas kësaj logjike cinike të qeverisë që tallet me shqiptarët kudo, qytetarët do të duhej të rendnin për tu punësuar në bujqësi"- u shpreh Bushati.
Ai akuzoi qeverinë për statistika të manipuluara lidhur me këtë çështje. Sipas Bushatit, "shifrat zyrtare të papunësisë janë të manipuluara dhe fshehin realitetin që njerëzit e deklarojnë në mënyrë të përsëritur përditë dhe në çdo sondazh sado të thjeshtë."
Duke u rikthyer në kohë, në fushatën elektorale për zgjedhjet e 2005-ës, ai , rikujtoi premtimet e PD-së për punësim të plotë në programin e saj qeverisës për katër vjeçarin që po përfundon, por që sipas PS, deri tani nuk ka patur asnjë nismë nga qeveria për të zbatuar programin.
"Shifrat e papunësisë vazhdojnë të jenë më keq se 4 vjet më parë, asgjë nuk është bërë për realizimin e programit të premtimeve në sirtar.
Rritja e rreme ekonomike nuk ka krijuar asnjë vend të ri pune më shumë. Papunësia përzë njerëzit nga shtëpitë dhe familjet e tyre. Papunësia është shkaku kryesor i emigracionit masiv. Berisha premtoi 200.000 vende të reja pune, dhe ne sot i kërkojmë kryeministrit të japë llogari para shqiptarëve përse nuk ka mbajtur këtë premtim.
Sot në Shqipëri mungon shansi i një punësimi dinjitoz si për të diplomuarit ashtu dhe për të rinjtë në zonat rurale"- tha nënsekretari për Programin, Bushati.
Ai, premtoi në emër të Partisë Socialiste, se me ardhjen në pushtet, kjo forcë do të krijojë kushtet që tregu i punës të jetë funksional në një ekonomi me zhvillim të harmonizuar që mbart shanse të barabarta për të gjithë dhe jo vetëm për njerëzit afër kryeministrit.
s.v/NOA