Tiranë, 10 prill, NOA - Drejtësia do të jetë fusha e përbashkët, ku Shqipëria dhe Kosova do të punojnë fort për të ndarë eksperiencat mes tyre.
Shqipëria dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Drejtësi dhe Rregull në Kosovë, (EULEX) shpallën sot fillimin e bashkëpunimit në fushën e sistemit të drejtësisë.
Kjo është bërë e ditur, pas një takimi që pati në Tiranë me Shefin e Misionit EULEX në Kosovë, Yves de Kermabon, Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.
Ministri Alibeaj, shprehu në një konferencë të përbashkët për shtyp, angazhimin maksimal për të bashkëpunuar me këtë mision në fushën e gjyqësorit, legjislacionit, trajtimit të të dënuarve si dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Sipas tij, shumë shpejt do të konkludohet me nënshkrimin e marrëveshjeve konkrete për çështje që i përkasin fushës së drejtësisë.
Ministri Alibeaj e cilësoi takimin me Shefin e EULEX dhe delegacionin që e shoqëronte atë si hapin e parë të bashkëpunimit në këtë fushë.
Nga ana tjetër, Shefi i Misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon, në lidhje me takimin, u shpreh se biseda u fokusua në temat e bashkëpunimit dhe pikat ku do të fokusohet ai në të ardhmen.
Delegacioni i Misionit të EULEX-it, ndodhet në Tiranë në kuadër të një turi të nisur në rajon me qëllim forcimin e bashkëpunimit me Kosovën.
s.v/NOA