English

Blloku "Partizani" rindërtohet, Rama premton investime të shumta

Tiranë, 11 Prill NOA - Përmirësimi, rikualifikimi dhe rivitalizimi i hapësirave publike në blloqet e banimit ka krijuar kushtet e nevojshme për zhvillimin e një aktiviteti rekreativ, cilësor e të dobishëm për komunitetin.

Pas një rikualifikimi tërësor, dhe blloku "Partizani", një prej blloqeve model sa i përket hapësirave të gjelbra deri para viteve ‘90, tashmë është tërësisht në shërbim të banorëve duke pësuar ndryshime të rëndësishme.

Ndërhyrja e Bashkisë së Tiranës ka përfshirë dhe rikualifikimin e një hapësire të konsiderueshme e cila do të jetë në dispozicion të fëmijëve në vijim të nismës "Dua të luaj".

Sheshi në fjalë ndodhet midis një blloku pallatesh dhe është i ndarë në dy pjesë. Hapësirat e krijuara do të shërbejnë si vende çlodhëse dhe argëtuese për të vegjlit.

Ato përmbajnë sipërfaqe të gjelbëruara me bar dhe shkurre dekorative, gropa rëre me lojëra për fëmijë, sipërfaqe të shtruara për kalimtarët e rastit, stola nën hijet e pemëve për banorët, e pemë të shumta që do të krijojnë një sipërfaqe të hijezuar.

Kryetari Edi Rama, tha sot se synimi i Bashkisë së Tiranës ka qenë dhe mbetet krijimi dhe përmirësimi i të gjitha hapësirave të nevojshme komunitare në kryeqytet, ku gjithkush mund të gjejë një hapësirë të mbrojtur dhe model për t'u argëtuar e për t'u çlodhur.

"Ne duam të bëjmë këtë vit, 100 kënde të tilla dhe me fitoren e 28 qershorit dhe me vënien në dispozicion të qeverisë, jo vetëm në funksion të politikave të mëdha kombëtare, por edhe të jetës komunitare në qytetet tona, ne do të bëjmë një transformim rrënjësor të situatës në blloqet urbane të Tiranës dhe të qyteteve të tjera, duke u dhënë komuniteteve të vogla të çdo blloku, kënde të tilla që janë kaq të rëndësishme e të domosdoshme për bashkëjetesën qytetare".

Rama theksoi se nëse kjo, deri më sot është bërë me vështirësi të jashtëzakonshme dhe me ritme që duhen rritur por që pengohen për shkak të mungesës së vëmendjes të qeverisë dhe mungesës së vizionit për të nxitur politikën e vogël të komuniteteve, nesër kjo politikë e vogël komunitetesh do të jetë një qasje tërësisht e re për qeverinë shqiptare, në mënyrë që jeta komunitare të marrë një përmasë të re.

Kryebashkiaku Rama, ka theksuar rëndësinë e një transformimi rrënjësor të situatës në blloqet urbane të Tiranës dhe rritjen e cilësisë së jetës në komunitet.

"Dua të luaj" një nismë aq e nevojshme për rigjallërimin e jetës së komunitetit, ka gjetur vend edhe në këtë bllok banimi, ku tashmë hapësirat rekreative janë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme e po ashtu janë ndërtuar fusha basketbolli, kënde sportive e lojërash aq të domosdoshme për fëmijët apo të rinjtë, pasi u krijojnë atyre mundësinë e argëtimit dhe njëkohësisht forcimin fizik e zgjerimin e lidhjeve të tyre sociale.

e.l/NOA

KOMENTE