English

Fshirja nga faqja e dheut e dy sistemeve çnjerëzore

Nga Sali Berisha*

Kryeministër

Â

Të dashur të rinj e të reja, të Korçës dhe të mbarë Shqipërisë,

Jam takuar dhe do të takohem me të rinj e të reja, të Korçës dhe të mbarë Shqipërisë, gjithmonë me kënaqësi të veçantë, me nderim dhe me dashuri të madhe, por mbi të gjitha me një besim të madh dhe të pathyeshëm tek njëri-tjetri, tek Shqipëria dhe tek e ardhmja. Kjo sepse sot, unë dhe çdo shqiptar, i detyrohemi studentëve të dhjetorit '90, të rinjve të Shqipërisë, lirisë dhe dinjitetit të tyre.

Por, takimi im i sotëm me ju është një takim krejt tjetër. Unë jam takuar me të rinjtë e Shqipërisë, kur së bashku në rrugët dhe sheshe e Tiranës në dhjetor të vitit '90 flisnim dhe brohorisnim; "E duam Shqipërisë si Evropa" dhe "Shqipëria në NATO". Jam takuar me të rinjtë e Shqipërisë, jam takuar me ju, kur së bashku lëvizjen tonë të dhjetorit e shndërruam në uraganin e fuqishëm të lirisë; që pushtoi zemrat dhe mendjet e mbarë shqiptarëve; që vërshoi në sheshet, rrugët e rrugicat e fshatrave dhe qyteteve tona; të fushave, të kodrave, të brigjeve dhe maleve të Shqipërisë; për të përmbysur me votën tonë diktaturën, më 22 mars të vitit '92, dhe për të hapur për shqiptarët dyert e Shqipërisë, për të hapur dyert e mbyllura të Evropës dhe qytetërimit perëndimor.

Së bashku me ju, në vitin 2005, ne përmbysëm sistemin e kleptokracisë dhe të mbeturinave toksike të regjimit komunist të vitit '97. Pra, në një hark kohor 15 vjeçar ne fshimë nga faqja e dheut dy sistemet më çnjerëzore dhe ndërtuam demokracinë. Pasioni juaj për lirinë, entuziazmi, shpresa dhe dashuria juaj për vendin, supet tuaja mbartën Shqipërinë në NATO, e nxorën nga hordhet e diktaturës dhe e çuan atë në NATO.Â

Zoti ju bekoftë ju!

Zoti e bekoftë rininë shqiptare!

Prandaj, sot ne zotohemi më krenarë se kurrë me vetën, me njëri-tjetrin dhe më krenarë se kurrë me Shqipërinë anëtare të NATO-s. Por, ne ndihemi krenar sepse përmbushëm ëndrrën tonë më të bukur, ëndrrën e rilindësve tanë. Sot ëndrrën tonë; "Shqipëria në NATO", e prekim me dorë, e kemi midis nesh.

Sot, për ju dhe për ne është festë. Sot, për çdo shqiptar është moment solemn sepse pasioni juaj i lirisë do të jetë uragani i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Jam këtu për t'u angazhuar se ne së bashku, në kohën më të parë të mandatit tonë të dytë do të realizojmë liberalizimin e vizave. Ju do të shëtisni në mbare Evropën si qytetare të lirë të saj.

Të dashur të rinj dhe të reja të Korçës,

Ajo që bëtë ju dhe që bën shqiptarët më 4 prill, është arritja më e madhe pas shpalljes së pavarësisë. Kjo sepse ky është mësimi më i madh i historisë tonë të dhimbshme. Shqipërinë, të parët tanë e bënë të pavarur, por sërish mbi të u vërsulën me kthetra grabitqare të tjerët për ta ndarë, për ta copëtuar, për ta pushtuar dhe për ta poshtëruar. Shqipëria u bë e pavarur, por ajo sërish do të bëhej viktimë, sepse nuk kishte miq, nuk kishte aleatë dhe ishte e vetmuar. Ndërsa Shqipëria juaj sot, ka aleatë vendet më të fuqishme të botës; Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet më të fuqishme të planetit, anëtare të NATO-s.

Të rinjtë e të rejat e Shqipërisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore mbushën malet e vendit për të luftuar për liri dhe dinjitet, në mënyrë që shqiptarët të çliroheshin dhe të jetonin të lirë. Por, pas Luftës, në Shqipërinë e vetmuar dhe e izoluar, pasi mundi nazizmin hitlerian, shqiptarët jetuan regjimin më totalitar të Hitlerit të pasluftës së Evropës, regjimin e Enver Hoxhës. Ashtu siç do ta quanin atë, të gjitha Partitë Demokrate të Evropës në Deklaratën e Parisit.

Kurse sot, ju të dashur të rinj dhe të reja, fëmijët tuaj, fëmijët e fëmijëve tuaj dhe gjeneratat që do të vinë, do të ndërtojnë të ardhmen tyre të lirisë, duke pasur NATO-n, Aleancën më të fuqishme të kohërave, si mburojë.

Zoti e bekoftë NATO-n dhe vendet anëtare të saj!

Të dashur të rinj dhe të reja të Korçës,

Sot, për Shqipërinë dhe shqiptarët nis një epokë tjetër. Tani e tutje nuk do të ketë më diktatura, nuk do të ketë më pushtime, nuk do të ketë më poshtërime që ju gllabërojnë të ardhmen tuaj. Shqipëria në mendjet tuaja, në shpirtin tuaj, në pasionin tuaj për liri, në energjitë tuaja, në entuziazmin tuaj, qëndron mundësia e këtij vendi dhe këtij kombi. Për të fshirë kohërat e humbura, sakrifica juaj e prindërve tuaj dhe e paraardhësve tanë, pasioni juaj do të prijë lirinë në rrugën tonë.

Të gjithë së bashku jemi të bindur, se ne meritojmë atë që na grabitën padrejtësitë e kohërave, diktaturat dhe pushtimet. Ne e meritojmë të ardhmen, por unë jam i bindur se investimi më i shkëlqyer për të ardhmen është investimi tek ju, tek mendja juaj, tek shkollimi dhe punësimi juaj.

Ju keni projektin e Shqipërisë që do të vijë. Ju keni projektin e Shqipërisë së zhvilluar. Ju keni projektin e Shqipërisë anëtare të Bashkimit Evropian. Ndaj, unë dhe qeveria ime, në mandatin tonë të dytë, në mandatin e lirisë, do të kemi lirinë si përparësi absolute tonën. Në këto katër vite, ne 2-fishuam buxhetin për shkollimin tuaj. Në këto katër vite, ne bëmë që më shumë se gjysma e shkollave të të gjithë Shqipërisë të jenë të rindërtuara ose të reja. Unë ju jap fjalën se në katër vitet që vijnë nuk do të ketë më asnjë shkollë të vjetër në Shqipëri. Gjatë këtyre katër viteve ne bëmë që mësuesit tanë, ata që na mësojnë dijen dhe qytetërimin, të shpërblehen dy herë më shumë sesa katër vite më parë. Këtë e bëmë për ju dhe për shkollimin tuaj. Në këto katër vite që vijnë piedestali i tyre do të ngrihet gjithnjë e më lartë. Në këto katër vite ne pajisëm me kompjuter dhe shtrimë internetin në çdo shkollë. Në katër vitet që vinë shpresojmë se do të ketë kompjuter dhe internet për çdo të ri shqiptare edhe në shtëpitë e tyre.

Për këto katër vite, ne mbi 2-fishuam numrin e pranimit të studentëve në universitete. Shqipëria, e cila katër vite më parë numëronte 52 mijë studentë, sot ka 115 mijë studentë. Shqipëria juaj, Shqipëria në NATO, ka sot në universitetet private të saj më shumë studentë seç kishte në të gjithë universitetet publike në kohën e diktaturës. Unë jam këtu për tu zotuar para jush se në mandatin e dytë, në mandatin tuaj, Shqipëria do të numërojë 160 mijë studentë dhe studente. Unë së bashku me ju do të zotohemi se nuk do të lëmë asnjë përpjekje pa bërë, se do të bëjmë çdo investim të nevojshëm që; qoftë edhe një fëmijë që dëshiron të vazhdojë shkollën të mos mbetet pa shkollë të mesme, qoftë edhe një i ri që dëshiron të vazhdojë universitetin të mos mbetet pa studiuar në të. Shkollimi juaj është përparësia jonë. Â

Unë dua t'ju them që ti shtrini ambiciet tuaja sepse ato janë shpresë për zhvillimin e vendit. Unë ju ftoj të aplikoni në universitetet më të mira të Evropës dhe të botës, sado që të kushtojnë ato. Çdo i ri apo e re që fiton të drejtën për të ndjekur studimet në 1 nga 10 universitetet më të mira të planetit, atij do t'i jepet bursë nga qeveria shqiptare. Krahas shkollimit tuaj, krahas lëvizjes së lirë dhe krahas dëfrimit, për ju është jetik edhe punësimi, është ndërtimi i familjes.

Jam sot para jush për t'ju thënë se Shqipëria në katër vitet që vijnë do të jetë kantieri juaj dhe se unë do të bëjë çdo përpjekje që çdo i ri që kërkon punë të mund të punësohet. Unë do të bëj çdo përpjekje që çdo i ri që krijon familje të ketë mundësi të krijojë strehën e vetë.

Sot ne kemi ditë festë dhe kemi të drejtë që edhe të krenohemi, edhe të gëzohemi, edhe të kënaqemi për veten dhe për vendin tonë. Rrugës duke ardhur këtu më erdhi ndërmend diçka; mu kujtua se Shqipëria që trashëguam kishte 3 - herë më shumë bunkerë sesa apartamente banimi për qytetarët e saj. Ndërsa Shqipëria që ne sollëm, Shqipëria që u ndërtua sipas ëndrrave tuaja, ka sot, me gjithë vështirësitë e saj, shumë më tepër vila sesa bunkerët e diktaturës.

Dhe tani dua t'ju paraqes ju, liderin e të rinjve demokratë shqiptarë, Gert Bogdanin. Gerti Bogdani është njëri prej jush, njeri i ndershëm dhe i përkushtuar. Kudo që shkoi, ai na përfaqësoi me dinjitet. Gerti studioi në njërin nga universitetet më të njohura të Shteteve të Bashkuara dhe doli i pari në një mijë studentë. Ai u kthye nga dashuria e madhe për ju dhe për Shqipëri, për të ecur së bashku drejt Shqipërisë në Bashkimit Evropian, drejt Shqipërisë së zhvilluar.

(*) Fjala e mbajtur sot në takimin me të rinj dhe të reja të Korçës

KOMENTE