English

Meta kryen takime me banorët e Fushë-Krujës, prezanton kandidatin

Krujë, 11 prill, NOA - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi një takim elektoral me përkrahës të kësaj partie në qytetin e Krujës dhe ka prezantuar para tyre kandidatin e LSI në këtë zonë, Agim Xheka.

Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, gjatë këtij takimi, Meta ka marrë garancinë nga banorët e Fushë-Krujës për mbështetjen e tyre ndaj kësaj force politike, si një alternativë e qartë dhe konkrete e cila do ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike dhe do të rrisë mirëqenien e shqiptarëve përmes planit konkret që ka LSI për punësimin.

 "Fushë Kruja ka qenë gjithnjë qendra e së majtës dhe ajo e meriton alternativën tonë, si alternativa më e sigurt për të larguar një herë e mirë pensionistin Berisha në 28 qershor, sepse rinia e Fushë Krujës dhe e gjithë Shqipërisë nuk mund të qeveriset më prej tij", tha në fjalën e tij Meta.

Ai përmendi se Lëvizja Socialiste për integrim paraqet alternativën e daljes së bujqësisë nga kriza dhe krijimin e asaj industrie agro-përpunuese që do të jetë një treg i sigurt për të gjitha prodhimet bujqësore në vend.

"Sepse është një skandal i vërtetë që ne gjysma e popullsisë e kemi në zona rurale, dhe nuk ushqejmë dot veten tonë. Sepse eksportojmë 1 euro prodhime bujqësore dhe ushqimore dhe importojmë 10 euro. Kjo do të thotë se ekonomia jonë bëhet gjithnjë më e varur nga jashtë gjithnjë e më e dobët dhe kjo do të thotë që ekonomia familjare e secilit prej jush bëhet e tillë", përfundoi fjalën e tij Meta.

n.e/NOA

KOMENTE