English

PS: Berisha nxjerr mësues e nxënës në shkolla për arsye elektorale

Në të vërtetë, në mitingjet që realizonte Partia Socialiste gjatë fushatës së kaluar elektorale për zgjedhjet parlamentare, rëndom mblidhte nxënës nga shkollat, në ditë shkolle dhe në mjediset e shkollave, duke zhvilluar "lumë" mitingjesh që sot po i kritikon fort

Tiranë, 11 Prill NOA - Partia Socialiste akuzoi sot kryeministrin se "për më tepër, në një ditë pushimi nxjerr nxënësit në mitingje elektorale".

Reagimi erdhi nga kryetarja e Komisionit të Edukimit në Asamblenë Kombëtare të PS, Ledi Shamku.

"Abuzimi me fëmijët dhe mësuesit për qëllime elektorale po kalon çdo cak e masë. Sot në shkollat e Korçës është bërë mësim për t'i marrë nxënësit direkt nga klasa, e për t'i çuar në mitingun e Sali Berishës, që pasi ka prerë për të tretën a të katërtën herë shirita rrugës akoma të pambaruara, ka folur para një turme nxënësish e mësuesish të dhunuar në lirinë e tyre politike e në të drejtën e tyre të ditës së pushimit", - nënvizoi Shamku.

Ajo nuk harroi të premtojë, se më 28 Qershor "do të marrë fund kthimi i mësuesve e nxënësve në kope elektorale dhe do të nisë epoka e re e rilindjes se Arsimit të çliruar nga zinxhirët e interesave politike".

Në të vërtetë, në mitingjet që realizonte Partia Socialiste gjatë fushatës së kaluar elektorale për zgjedhjet parlamentare, rëndom mblidhte nxënës nga shkollat, në ditë shkolle dhe në mjediset e shkollave, duke zhvilluar "lumë" mitingjesh që sot po i kritikon fort.

e.l/NOA

KOMENTE