Tiranë, 11 prill, NOA - Pas 4 muajsh, qeveria Berisha ende nuk ka lidhur kontratat me institucionet përkatëse për të kryer monitorimin e cilësisë së mjedisit në Shqipëri, ku përfshin ajri, uji, toka dhe biodiversiteti.
Një denoncim të tillë të selisë rozë e ka bërë sot publik sekretari për Mjedisin në Partinë Socialiste, Besnik Baraj.
Sipas tij, në një kohë kur për të qenë rezultatet e besueshme duhen minimalisht të kryhen 15 ditë monitorim në muaj, kanë kaluar 4 muaj pa bërë asnjë ditë monitorim.
"Monitorimi është një proces i detyrueshëm ligjor dhe qeveria e paaftë, e papërgjegjshme nuk e kryen atë në kohë dhe me standardet e vendeve të rajonit.
Jo vetëm kaq, por fondi i caktuar për këtë qëllim është qesharak krahasuar me vende si Maqedonia dhe Kroacia, duke qenë 10 deri 30 herë më i vogël se këto vende", tha ai.
Duke e cilësuar këtë mungesë përgjegjshmërie aspak të rastit, Baraj ka theksuar se ajo lidhet me uljen e ndjeshme të kapaciteteve profesionale në Ministrinë e Mjedisit, ku këto vite janë larguar ekspertët më të mirë e më shumë përvojë, duke i zëvendësuar me agraro-ambientalistët e Xhuvelit.
n.e/NOA