Nga bashkëpunëtori i agjencisë së lajmeve NOA, Nikos Samaras
Kalamatë, 11 Prill NOA - Në luftë me vdekjen gjendet gruaja 28-vjeçare shqiptare e cila sot u masakrua frikshëm nga bashkëshorti i saj 39-vjeçar, vetëm pak ditë pasi ai kishte ardhur në Kallamatë të Greqisë, për t'i kërkuar të shoqes që të ribashkohen në vendlindje.
Burime nga spitali shtetëror KAT i Athinës, ku u dërgua për trajtim të specializuar, bënë të ditur për agjencinë e lajmeve NOA, se gruaja 28-vjeçare, ka këmbët e prera deri në kofshë, por edhe duart, si pasojë e përfshirjes së tyre nga një sharrë me korrent, që policia tha se u përdor nga bashkëshorti i saj.
Gjendja e 28-vjeçares është kritike, bënë të ditur mjekët të cilët pohuan se si shkak i prerjes së arterieve, jeta e të resë është në pikëpyetje.
Ndërkohë, dy fëmijët e çiftit, gjenden po ashtu në spitalin shtetëror të Kalamatës, nën kujdes të psikologëve dhe një përkthyesi, për shkak të gjendjes së shokut që kanë kaluar.
Çfarë ndodhi
Gjithçka e ka pikënisjen para disa kohësh. 39-vjeçari shqiptar, që identifikohet si I. Ramaj, lindur e banues në Librazhd, jetonte në qytetin e Verias të rajonit Makedonia të Greqisë.
Para disa ditësh ai kishte shkuar në Shqipëri, ku kishte marrë fëmijët e tij, përkatësisht, tetë dhe dhjetë vjeçar të cilët jetonin me të afërmit e tij.
Një javë më parë, 39-vjeçari bashkë më dy fëmijët, ka mbërritur në Kalamatë, në shtëpinë me qera në rrugën "Navarinu" të lokalitetit Mesinia, ku jetonte e vetme, e shoqja 28 vjeçe.
Kurse një ditë më parë, kishte blerë një sharrë elektrike me zinxhir të cilën e kishte vendosur tek qilari i shtëpisë, raportojnë mediat greke.
Rreth orës 14.00 të ditës së sotme (e Shtunë), në një moment irritimi, 39-vjeçari ka rrëmbyer nga oborri pranë shtëpisë sharrën elektrike, e ka vënë në prizë dhe i është vërsulur të shoqes duke i prerë të dyja këmbët dhe të dyja duart deri lartë në krahë.
Nuk është mjaftuar me kaq, e ka marrë të shoqen dhe e ka futur në qilarin e katit të poshtëm të godinës së banimit.
Menjëherë më pas, ka marrë dy fëmijët, i ka futur në makinë dhe i është drejtuar bulevardit pranë detit.
Atje i është afruar një patrulle policore dhe i ka njoftuar se ka masakruar të shoqen.
Vetë ai, i ka çuar policët tek qilari ku gjendej e shoqja, e cila menjëherë, është dërguar në spitalin shtetëror të Kalamatës.
Por për shkak se arteriet e të plagosurës nuk po mbylleshin, me një helikopter ushtarak që shikoni në foto, ajo u transportua në spitalin shtetëror KAT të Athinës, ku mjekët pohojnë se gjendja e saj është kritike.
I dyshuari 39-vjeçar, pa dokumente të rregullta qëndrimi, është arrestuar dhe u dërgua në një qeli paraburgimi të rajonit lokal policor.
Mësohet se ditën e Hënë, ai do të dalë para gjykatës së Kallamatës për t'iu vlerësuar masa e sigurisë, aktualisht, arrest në burg.
Kurse fëmijët, momentalisht gjenden në spitalin e Kalamatës, por autoritetet lokale kanë vendosur t'i dërgojnë në një qendër për trajtimin mbrojtës të fëmijëve me probleme në familje.
Nga hetimet e para, policia dyshon se sherri që solli ngjarjen e frikshme, erdhi pas refuzimit të gruas 28-vjeçare për t'iu bashkuar familjes, duke qenë se ajo jetonte vetëm në Kalamatë, i shoqi në Veria po të Greqisë dhe fëmijët e tyre, në Shqipëri.
n.s/NOA