Nga Rexhep Shahu
Â
Shumë herë kam shkuar në Tropojë e shpesh kam shkruar për të. Kam shkuar në fillim-pranverën e 1998-s, kur u dyndën të dëbuarit e parë nga Kosova dhe kam shkruar e raportuar shumë ato ditë.
Ishte kohë kur u demonstrua bujaria, mikpritja, solidariteti njerëzor në përmasat më të mëdha të mundshme. Pastaj më vonë vdekja nisi të rrisë shtat e të hedhë valle në Tropojë për shumë vite. Ishte kohë kur cicërimat e zogjve i zëvendësuan krismat e armëve, vajet e burrave e të grave që zgjatën gjatë, deri në vitin 2005. Kemi ndenjur dhjetë vjet nën armë... Atë që njerëzit duan ta harrojnë në Tropojë është koha kur shteti ishte ortak me krimin deri në vitin 2005. U vranë mbi 150 njerëz. Jeta u shua. Nuk kishte fëmijë që të shkonte në shkollë i pashoqëruar nga prindërit. Edhe 300 metër ta kishe larg shkollën, fëmija duhej shoqëruar.
Edhe 300 fëmijë të ishin, shoqëroheshin nga 300 prindër. Sa hynte dielli, vdiste jeta. Nuk lëvizte këmbë njeriu pas perëndimit të diellit. Në çdo kafe të hyje, do të shihje dy a më shumë persona në kërkim shumë të rrezikshëm për krimin e vrasjes. I shihje me armë në prehër në mes të klubeve. Dhe nuk guxoje të flisje. Nuk guxoje të ndërhyje për t'i ndaluar. Nuk qeshte kush.
Ishte ngrirë buzëqeshja e shpengimi. Në mes të qytetit derdheshin pa dert breshëri plumbash. Hidheshin granata ngado. Vritej njeriu për pesë pare spec në mes të rrugës, në mes të sheshit. Dhe nuk guxonte të ndërhynte shteti, policia dhe askush. Se shteti ishte palë me krimin ose krimi ishte i veshur me kostumin e shtetit. Ka tre vjet që nuk vidhet makinë në Tropojë. Një është vjedhur dhe është gjetur për 11 orë. Kemi ndenjur dhjetë vjet nën armë. Ndërsa dje, më 3 prill 2009, prokurorja e Përgjithshme e shtetit, Ina Rama, shëtiti në Tropojë, hyri lirshëm pa armë, pa suita, pa policë nëpër kafenetë e qytetit. Bashkëbiseduesi im i panjohur, i veshur civil, është polic prej 18 vitesh në Tropojë dhe merret me krimin. "Nuk mund ta lije shtëpinë vetëm asnjë çast para vitit 2005, o jarani jem. Nuk dilte vajzë prej shtëpie vetëm as deri në dyqan poshtë pallatit para vitit 2005. Sot rrugët i sheh plot vajza e gra e deri në mbrëmje vonë. Mos me ta marrë mendja këtë gjë para vitit 2005. Mos me e pas pa me sy, nuk mund ta besosh", vazhdon të flasë si për hesap të vet bashkëbiseduesi im polic.
Niseshim në aksion për të ndërhyrë si polici kur ndodhte ndonjë krim dhe merrnim urdhër menjëherë të tërhiqeshim, duke na urdhëruar lëreni, mos veproni. Vinin policë prej Tirane, vinin dhe rrinin maleve edhe forca speciale gjatë. Vetëm shtonin terrorin se shteti ishte një me krimin. Deri te Drini vinin plot policë prej Tirane dhe ose rrinin aty ose ktheheshin mbrapsht dhe mashtronte shteti se nuk hyhet në Tropojë. Na kanë copëtue edhe do gazetarë, do gazeta e do televizione, na kanë troshitë. I hidhnin zjarrit benzinë. Meditoj. Më kujtohet viti 2000. Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim organizoi një takim në hotel "Dajti" në Tiranë. Isha në atë takim. Ishin burra të mëdhenj të shtetit të kohës. Edhe policët e mëdhenj të shtetit. Edhe OJF të mëdha me emra e pseudonime. Edhe media plot. Kryefjalë Tropoja. Tropoja kryelajm.
Për shumë vite kryelajm i zi. Aty fola si një njeri e gazetar që e njihja terrenin. Nuk është Tropoja Afganistan. Vetëm ato që duan të mbetet një vatër zjarri e bëjnë Afganistan. Vetëm ato që duan që të mos u shternin paratë e bëjnë Afganistan. Vetëm ata që urrejnë Sali Berishën e bëjnë Afganistan. Vrasjeve për larje hesapesh mes bandave e banditëve, vrasjeve për ngatërresa të shtetit ua vishnin kostumin e gjakmarrjes. Që të bëhet doemos mesjetë Tropoja. Dhe krime monstruoze nuk janë bërë vetëm në Tropojë, ani se vrasjet në jug të vendit etiketoheshin hakmarrje e në veri gjakmarrje... Edhe Edi Rama me Partinë Socialiste i ka dyqind petritë në Tropojë, o burrë, më përmend bashkëbiseduesi. Vjen para pak ditësh në Bajram Curr Edi Rama dhe nuk i bën askujt përshtypje. Ecën krejt pa dert ai nëpër qytet me mbështetësit e vet, sikur nuk ka ndodhur kurrgjë dhe nuk i hyn kujt në sy. Bën mbledhje, pi kafe i patrazuar prej askujt. Nuk i hyn kurrkujt në punë. Lëviz rrugës. Qyteti i sistemuar, rrugë të asfaltuara, makina shumë. Më kujtohet Nuredini, kryetari i bashkisë, që më thoshte mbrëmë se në ditë jave nuk ke ku parkon makinën në qytetin e Bajram Currit. Ka shumë makina dhe në gjithë rrugët kemi parking anash, por nuk del vendi. Ndërsa në Nikaj - Mërtur, në Alpe, në qendër të komunës Lekbibaj, një socialist, (vetë, pa ia kërkuar kush, iu deklarua i tillë ministrit Gjana, që organizoi takime në shtatë komuna të Tropojës), teksa fliste, tha se para vitit 2005, "ne i shihnim hajdutët në vathat e bagëtive tona duke na vjedhë bagëtitë dhe nuk mundshim as me folë se na vrisnin hajdutët dhe të shkonte koka për një dele a një derr. Ka më shumë se tre vjet që nuk i kanë vjedhë kujt asnjë bagëti në Tropojë". Po vrasje a ndodhin më? Vrasje po ndodhin në Amerikë, në Gjermani e kudo mor burrë. Po vrasje siç kanë ndodhur para 2005-s, nuk ka më prej tre vjetësh në Tropojë. Ani se shumëkush don me pasë vrasje në Tropojë se Tropoja është e Sali Berishës. Por jeta tash është e sigurt si kurrë ndonjëherë në Tropojë. Gjithë natën mundesh me lëviz, me punue, me udhëtue me makinë a në këmbë dhe nuk i ka ndodhur kurrkujt kurrgjë prej tre vjetësh. Jam ulur në një kafe afër gjimnazit me një grup. Vendasit aty nuk i njoh. Por mes bisedave të shumta e barsoletave që tregon kryetari i Llugajve, si nëpër dhëmbë e duke i rënë larg e larg, pyes ngadalë se çfarë ishte ai që u shpreh se pse s'vjen Berisha në Tropojë... "Ç'a je ka flet burrë! A po don me ba mahi edhe ti a", fillon e flet me ton të ngritur një djalë që kishte punuar si çminues përgjatë kufirit me Kosovën, i pranishëm në tavolinë. "Sali Berisha është përditë në Tropojë. Dil e lëviz ngado dhe do të shohësh se Tropoja është bërë kantier ndërtimi. Na e ndërtoi rrugën që na lidh me Gjakovën, na e ndërtoi rrugën nga Qafa e Malit. Sali Berisha po i bon të gjitha në lagjet e qytetit, nëpër fshatra. Po fillon asfaltimi i rrugës për Lekbibaj. Po bëhet rruga nga Dragobia me na lidh me Thethin e me Plavë e Guci. Po përfundon rruga që na lidh me Hasin... Gjithë këto kanale vaditëse që u bënë këto tre vjet... Të gjitha investimet po i bon qeveria e Sali Berishës. Pasi të mbarojë rruga e Kosovës dhe ajo e Arbrit, ka me na e ndërtue Sali Berisha edhe rrugën e Drinit". Dalim nga aty dhe shkoj në kafen e Jupës. Çminuesi më shoqëron. I sigurt se nuk më ka bindur sa duhet, vijon e më flet ende. "Dhjetë vjet nuk ka pas qeveri për ne, nuk i ka ra kujt ndërmend për ne veç me na nxjerrë në krye të lajmeve me kronika të zeza", më flet ngadalë e shtruar, me zë jo të lartë një bashkëbisedues tjetër në kafen e Jupës, shok i çminuesit. "E si quhesh ti?, - e pyes. "Malsor jam burrë", - ma kthen nervoz. "Se po futni fitila kot". - Më keqkuptove, më duket, i them. "Jo burrë, nuk të keqkuptoj, por po na mahitni. Pse s'vika Sali Berisha në Tropojë, kur ai është çdo çast tek ne prej katër vjetësh me punë. Aaaa, mirë ishte kanë me ardhë e me e marrë ngrykë të tanë malsorët o burrë, se i kena borxh të tanë shqiptarët Sali Berishës. Kur ashtë punue ma shumë në këtë Shqipni se sa këto katër vjet. Na futi në NATO Sali Berisha. Ka siguri jeta kudo...", vijon i panjohuri im. Shih veç Tropojën dhe bindesh se jeta është shumë e sigurt. Nuk të vret më shteti as me armë as me heshtje as me mbyllje sysh e veshësh... "Ka edhe varfëri", - i them unë. "Po burrë, - më përgjigjet flakë për flakë, - kush ndjell fukarallëk, gjen fukarallëk. Kush pret me kryet përpjetë, han glasa zogjsh. Po ç'a je ka flet. Çdo pjesëtar familje ka celular. 3 milionë shqiptarë mbi dy milionë telefona celularë. Pastaj fshatarë jemi shumica këtu. Të gjithë kanë lopë, dele, dhi, kuaj etj. A janë pasuri këto apo jo. Shumë shtëpia kanë makina. Ka familje që kanë edhe tre-katër makina. Kush përpushet jeton, mor mik se mundësitë sot janë. Po na vetë nuk punojmë dhe lëmë edhe tokat djerrë. Se janë ka na mbajnë njerëzit që kena në emigrim. Na ka mbajtë këto kohë edhe shitja e kromit". (U ndala dhe po mendoja se vërtetë a janë pasuri tonat, të ne shqiptarëve rreth gjysmë milioni krerë gjedh në mbarë vendin, tre milionë bagëti të imta dhe të gjitha këto i kanë fshatarët shqiptarë. Pa përmendur drufrutorët e vendit, vreshtat, ullishtet, serat e plot pasuri të tjera të fshatit shqiptar). "Ka njerëz që s'kanë mundësi me pague letërnjoftimin elektronik, s'kanë para", - i them. Qeshi më në fund bashkëbiseduesi im. "Je ka ja fut kot, - ma ktheu duke qeshur me të madhe. - Ashtë marri mor burrë kjo punë. Dy birra një letërnjoftim. - Po pensionistët që nuk kanë mundësi, - ia kthej. - Po a kanë familje pensionistët, mor jarani jem, a kanë djem, a kanë fëmijë. Ato që jetojnë në azile, ato kanë të drejtë ta marrin falë. Qeveria e ka ulë çmimin e letërnjoftimeve.
Pastaj kush nuk e blen, nuk meriton të ketë letërnjoftim e nuk meriton as të votojë burrë, ma kthen paksa ashpër bashkëbiseduesi. Më fal tash se po due me e takue ministrin Jemin Gjana (i cili sapo hyri në kafe bashkë me drejtuesit lokalë të Tropojës) vetëm me e falenderue se na ka ndenjur afër në Tropojë në vite të vështira. Nuk kishte frikë dhe vinte e na takonte në Tropojë kur ne ishim në shtetrrethim prej qeverisë së socialistëve". "Kësaj i thonë me u ba ndera detyrë", e merr fjalën një bashkëbisedues tjetër, i vjetër, burrë me syze, nga Viçidoli, që merret me Shoqatën e të Përndjekurve Politikë. "Si, ndera detyrë, - e pyes, se nuk e kuptoja. - Po ja pra, shteti pas 2005-s na ka bo ndera të mëdha ne në Tropojë e kudo në Shqipëri. Por duhet me hedh sytë përtej hundës e me pa më larg, duhet me pa përtej majës së këpucëve tona, përtej katundit tënd, përtej qytetit tënd. Nuk e ka për detyrë shteti edhe të na mëkojë e të na e fusë lugën te goja se nuk i kena të thata duart".