English

Del nga rreziku për vdekjen, 28-vjeçarja që mbeti pa duar dhe këmbë nga i shoqi

Nga bashkëpunëtori i Agjencisë së Lajmeve NOA, Nikos Samaras

Athinë, 12 Prill NOA - Gruaja 28-vjeçare që një ditë më parë u dërgua në spitalin shtetëror të Athinës në Greqi, në gjendje kritike, besohet se ka dalë nga rreziku për vdekjen.

Mjekët në spitalin shtetëror KAT të Athinës, thanë mbrëmjen e së Dielës, se shëndeti i 28-vjeçares, u arrit të mbahej nën kontroll, duke theksuar se "ne besojmë që e kemi fituar luftën me vdekjen", por duke shtuar se "24 orët e ardhshme do të jenë vendimtare".

Gjatë natës duke gdhirë dita e sotme, gruaja e re, iu nënshtrua një operacioni që zgjati dhjetë orë, realizuar nga një ekip i shtuar mjekësh, që arritën të mbyllin arteriet e prera në këmbët dhe duart e 28-vjeçares.

Ndërkohë, dy fëmijët e çiftit, gjenden po ashtu në spitalin shtetëror të Kalamatës, nën kujdes të psikologëve dhe një përkthyesi, për shkak të gjendjes së shokut që kanë kaluar.

Ngjarja

Gjithçka e pati pikënisjen para dy muajsh. 39-vjeçari shqiptar, që identifikohet si I. Ramaj, lindur e banues në Librazhd, jetonte që nga muaji shkurt, në qytetin e Verias të rajonit Makedonia të Greqisë.

Para disa ditësh ai kishte shkuar në Shqipëri, ku kishte marrë fëmijët e tij, përkatësisht, tetë dhe dhjetë vjeçar të cilët jetonin me të afërmit e tij.

Një javë më parë, 39-vjeçari bashkë më dy fëmijët, ka mbërritur në Kalamatë, në shtëpinë me qera në rrugën "Navarinu" (që e shihni dhe në foto) të lokalitetit Mesinia, ku jetonte prej dy muajsh e vetme, e shoqja 28 vjeçe, raportojnë mediat greke.

Rreth orës 14.00 të ditës së Shtunë, në një moment irritimi, 39-vjeçari ka rrëmbyer nga bagazhi i makinës, pranë shtëpisë një sharrë elektrike me zinxhir, e ka vënë në prizë dhe i është vërsulur të shoqes duke i prerë të dyja këmbët dhe të dyja duart deri lartë në krahë.

Nuk është mjaftuar me kaq, e ka marrë të shoqen dhe e ka futur në qilarin e katit të poshtëm të godinës së banimit.

Menjëherë më pas, ka marrë dy fëmijët, i ka futur në makinë dhe i është drejtuar bulevardit pranë detit.

Atje i është afruar një patrulle policore dhe i ka njoftuar se ka masakruar të shoqen.

Vetë ai, i ka çuar policët tek qilari ku gjendej e shoqja, e cila menjëherë, është dërguar në spitalin shtetëror të Kalamatës.

Por për shkak se arteriet e të plagosurës nuk po mbylleshin, me një helikopter ushtarak që shikoni në foto, ajo u transportua në spitalin shtetëror KAT të Athinës, ku mjekët pohojnë se gjendja e saj është kritike.

I dyshuari 39-vjeçar, pa dokumente të rregullta qëndrimi, u arrestua dhe u dërgua në një qeli paraburgimi të rajonit lokal policor.

Mësohet se ditën e nesërme (e Hënë), ai do të dalë para gjykatës së Kallamatës për t'iu vlerësuar masa e sigurisë, aktualisht, arrest në burg.

Kurse fëmijët, momentalisht gjenden në spitalin e Kalamatës, por autoritetet lokale kanë vendosur t'i dërgojnë në një qendër për trajtimin mbrojtës të fëmijëve me probleme në familje.

Nga hetimet e para, policia dyshon se sherri që solli ngjarjen e frikshme, erdhi pas refuzimit të gruas 28-vjeçare për t'iu bashkuar familjes, duke qenë se ajo jetonte prej dy muajsh vetëm në Kalamatë, i shoqi në Veria po të Greqisë dhe fëmijët e tyre, në Shqipëri.

n.s/NOA

Â

KOMENTE