Vlorë, 12 prill NOA - Kryesia e PDI, kryesuar nga kryetari i saj Tahir Muhedini si dhe përfaqësues të tjerë të kësaj partie është mbledhur në qytetin e Vlorës.
Në këtë takim morën pjesë anëtar të kryesisë nga e gjithë Shqipëria.
Pas shumë diskutimesh në fund të takimit dolën me disa vendime politike, përfshirë këtu koalicionin me PD që kjo parti do të ketë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Tema kryesore e diskutuar më shumë nga të pranishmit ka qenë mundësia e koalicionit midis PDI-së dhe PD-së para dhe pas zgjedhjeve.
Muhedini është shprehur se ka ardhur koha të mendojmë për veten tonë, të përfaqësohemi denjësisht në parlamentin shqiptar si dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare të Çamërisë.
"Të shpërndarë majtas dhe djathtas tashmë duhet të bashkohemi si një trup i vetëm me PDI, për të zgjedhur djemtë më të mirë në parlamentin shqiptar, të cilët do na përfaqësojnë denjësisht në këtë kuvend, për t'u dëgjuar zëri i Çamërisë, dhe së bashku të bëjmë të mundur zgjidhjen përfundimtare të çështjes Çame", - tha kreu i PDI.
Ai po ashtu është shprehur se pas opsionit që i është dhënë kreut të PD Sali Berisha, për koalicion të përbashkët para dhe pas zgjedhjeve u është kthyer përgjigje pozitive.
"Ne nuk u kemi kthyer përgjigje sepse ajo do të kthehet mbasi kryesia të marrë një vendim të përbashkët, vijoi kreu i PDI-së.
Mbas disa diskutimesh të gjata e gjithë Kryesia ka rënë dakord për lidhjen e koalicionit me PD duke nënshkruar një marrëveshje e cila do të lidhet pas disa ditësh midis dy palëve.
Në mbledhje u ra dakord që kandidatët për deputet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm brenda këtij muaji, dhe në fillim të muajit Maj do të deklarohen kandidaturat për deputet, të cilat do të jenë nga të gjitha zonat sipas disa kritereve të përcaktuara në këtë mbledhje.
Deputetët do të jenë djem çamë si dhe persona që kanë dhënë më shumë për çështjen çame dhe qe kanë kontribuar vazhdimisht, të jenë intelektual nga të gjitha fushat, biznesmenë, si dhe njerëz publikë.
Sipas kreut të PDI-së, si dhe anëtarëve të kryesisë duhet punuar për të grumbulluar votat të PDI, të cilat deri tani kanë qenë të shpërndara majtas dhe djathtas, ka ardhur koha e përshtatshme për të menduar për veten tonë, dhe "të gjithë së bashku të kontribuojmë për të zgjidhur çështjen kombëtare Çame, sepse sot jemi më të organizuar dhe më mirë çdo herë tjetër", - theksoi Muhedini përpara kryesisë.
e.l/NOA