Shkodër, 12 Prill NOA - Kanë rinisur sulmet e armatosura ndaj udhëtarëve duke sjellë dy viktimat e fundit, dy shtetas kosovarë.
Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA informon se ngjarja ka ndodhur në fshatin Suka - Mjeke, rrethi Shkodër, kur dy qytetarë të Kosovës të cilët po udhëtonin në drejtim të Tiranës, janë grabitur me armë zjarri.
Dy qytetarët kosovarë, kanë qenë duke përshkuar rrugën në
fshatin Suka - Mjeke kur te një kthesë e fortë, janë ndalur nga dy persona të armatosur dhe të maskuar.
Agresorët, nën kërcënimin e armëve dhe ushtrimin e dhunës psikologjike dhe mandej fizike, kanë mundur t'u grabisin kosovarëve të pambrojtur, të gjitha të hollat që kishin me vete dhe më pas i kanë lënë të largohen me makinën e tyre.
Policia tha se në lidhje me këtë ngjarje të ndodhur katër ditë më parë, kanë kryer pasditen e sotme, arrestimin e dy personave të dyshuar.
"Si rezultat i veprimeve hetimore te kryera dhe mbi bazën e informacioneve të marra mbi vendndodhjen e autorit të krimit, pas një operacioni të mirëorganizuar është bërë e mundur kapja e 26-vjeçarit Robert Ndoci (e shihni në foto), banues në fshatin Mjedë, Bashkia Laç Vau Dejës", - tha për agjencinë NOA, një burim zyrtar i policisë në Shkodër.
Mësohet se me arrestimin e Ndocit, tani ai përballet me akuzën për veprën penale të "vjedhjes me armë, e kryer në bashkëpunim".
Ndërkohë nuk dihet ende nëse hetimet do të çojnë në kapjen e personave të tjerë të përfshirë në grabitje, kurse po punohet për të zbardhur nëse të dyshuarit janë përfshirë dhe në ngjarje të tilla të ngjashme.
r.d/NOA