Tiranë, 12 Prill NOA - Një emigrant nga Fieri, i kthyer vetëm para pak ditësh nga Greqia, mbeti i vdekur pas një atentati që i bënë në kryeqytet.
Ngjarja ka ndodhur tek një lokal pranë karburant Kastrati tek ish-stacioni i fundit të Tiranës së Re.
Viktima është Ardian Tahiri, rreth 30 vjeç, lindur e banues në lagjen "Drizë" të qytetit Fieri.
Autor i krimi ka qenë një person ende i paidentifikuar i cili policia tha se po kërkohet për t'u lokalizuar dhe arrestuar.
Burime në vendngjarje thanë për agjencinë e lajmeve NOA se në mesnatën duke hyrë dita e Diel, Ardian Tahiri gjendej në një lokal pranë pallatit me shigjeta tek ish-stacioni i fundit të Tiranës së Re.
Në një moment, brenda lokalit ka hyrë një person i pamaskuar, i cili ka nxjerrë nga trupi një armë zjarri dhe ka qëlluar në drejtim të Tahirit, duke e lënë të plagosur.
Menjëherë pas atentatit, autori është zhdukur me shpejtësi në drejtim të paditur, për t'i shpëtuar një ndjekjeje të mundshme policore.
I plagosuri është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku megjithë përpjekjet e bëra nga mjekët, ka ndërruar jetë për shkak të plagëve që kishin prekur organet e tij jetësore.
Policia tha se është në kërkim të autorit dhe në përpjekje për të zbardhur shkaqet e rrethanat e plota të krimit.
I ndjeri ishte nga Fieri dhe gjendej në Tiranë prej dy ditësh, pak pasi kishte ardhur nga Greqia ku prej kohësh jetonte si emigrant.
e.l/NOA