Shkodër, 12 prill NOA - Një grua është vrarë me armë zjarri dhe më pas është varrosur duke u deklaruar nga familja e saj, si një vdekje natyrale.
Sot, misteri ka marrë fund sepse në orën 14.00, sikundër informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA, është arrestuar si i vetmi autor i dyshuar i krimit, djali i të ndjerës.
I arrestuari është Ylber Tahiri, 19 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Vallas të Komunës Ana e Malit, rrethi Shkodër.
Policia konfirmoi për NOA se ai është i dyshuar si autor i vrasjes së ndodhur më datë 22 mars të këtij viti, ku është vrarë me arme zjarri Lumnije Tahiri në fshatin Vallas.
Viktima Lumnije Tahiri është varrosur nga familjarët pa njoftuar në lidhje me shkaqet e vdekjes duke fshehur në këtë mënyre krimin e kryer, duke e paraqitur si vdekje natyrale, - pranoi policia.
Ajo shtoi se mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative në lidhje me ngjarjen e ndodhur dhe mbi bazën e veprimeve hetimore të kryera nga Sektori Kundër Krimeve të Rënda në Shkodër është bërë i mundur zbulimi, dokumentimi e kapja e autorit të krimit, së bashku me armën e krimit, automatik model 56 që shihni dhe në këtë foto.
Policia tha se Ylber Xhevahir Tahiri përballet pas arrestimit, me akuzat për veprat penale të "Vrasjes me dashje" dhe "Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit".
r.d/NOA