Shkup, 13 prill, NOA - Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, thotë se partia e tij në zgjedhjet lokale në Maqedoni, në mesin e partive politike shqiptare, ka dalë fitimitare. Gjatë një interviste, ai ka thënë se humbja e partisë së tij në Tetovë dhe në Gostivar, paraqet një sfidë më tepër për këtë forcë politike.
Z.Ahmeti cili është vlerësimi juaj për zgjedhjet presidenciale dhe lokale?
- Fitore më e madhe në këto zgjedhje është që kemi patur një proces zgjedhor jashtëzakonisht të rregullt demokratik. Mundësia u është krijuar të gjithë njerëzve të cilët kanë qenë në garë, të zhvillojnë një fushatë të qetë, të fitojnë aq sa kanë punuar. Kjo është krenaria e Bashkimit Demokratik për Integrim, se edhe njëherë po e dëshmon, se duke qenë pjesë e qeverisë organizon procese të rregullta zgjedhore, pa ushtrim të dhunës, pa presione, pa terror psikologjik dhe u jep hapësirë, mundësi, të gjithë njerëzve që t'i provojnë forcat e tyre në garë.
Sa është i kënaqur kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, me rezultatet e arritura në këto zgjedhje lokale?
- Pas vitit 2002 kur BDI ka patur kulmin e, kjo është fitorja e dytë që BDI, siguron një fitore mjaft të madhe, me një fond votash prej 135 mijë votash.
Por Bashkimi Demokratik për Integrim humbi në dy qytetet më të mëdha shqiptare në Maqedoni, në Tetovë dhe në Gostivar.
- Humbja në Tetovë dhe në Gostivar, do të thotë që edhe më tej BDI do të angazhohet që në të ardhmen të bëhet edhe më e fortë.
Z.Ahmeti, në prag të mbajtjes së raundit të dytë zgjedhor, BDI dhe partneri maqedonas i koalicionit VMRO-DPMNE arritën marrëveshje që partneri maqedonas t'u mbështes mu në dy qytetet ku ju humbët, në Tetovë dhe në Gostivar. Sipas jush pati ndonjë "tradhëti" nga ana e partnerit të koalicionit qeverisës?
- As BDI, as VMRO-DPMNE, nuk i kanë patur votat e tyre, të shprehem simbolikisht në "telekomandë," por ne kemi bërë një thirrje parimore, duke qenë në koalicion me VMRO-DPMNE-në që fryma nga niveli qendror të bartet edhe në bashkëpunimin e organeve lokale, duke filluar që nga ato të partive e deri tek ekzekutivi lokal.
Edhe pse presidenti i ri, Gjorge Ivanov ka marrë një numër simbolik të votave shqiptare, përsëri ky numër simbolik i votave të shqiptarëve, ishte i mjaftueshëm që të kemi president të ri të Maqedonisë. Cili është qëndrimi i kryetarit të BDI-së, sa i përket zgjedhjes së presidentit?
- E rëndësishme është se ne nuk hymë në krizë institucionale, sepse kriza institucionale do të kishte një kosto më të lartë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe është shumë me rëndësi që Maqedonia fitoi presidentin i cili duhet të angazhohet për zgjidhjen e shumë temave të rëndësishme duke filluar që nga kontestet e ndryshme, siç është kontesti me Greqinë, po edhe përshpejtimi i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën si dhe përshpejtimi i rrugës drejtë anëtarësimit sa më të shpejtë në NATO dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE. Këto janë çështje me të cilat ne në të ardhmen, apo gjatë ditëve të ardhëshme, do të ballafaqohemi dhe duhet të kemi një qasje të përbashkët, se si t'i përshpejtojmë hapat drejt arritjes së këtyre qëllimeve.
Dhe, së fundi, z.Ahmeti, ka zëra që thonë se së shpejti mund të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar?
- Unë mendoj se këto janë më tepër janë thashethëna, sepse nuk është biseduar fare për rikonstruim të qeverisë. Kjo nuk do të thotë se në të ardhmen nuk do të bisedohet dhe nuk do të shikohet e gjithë veprimtaria e qeverisë së Maqedonisë, brenda këtyre tetë muajve, sa funksionon ky koalicion, por tani për tani mund të them që e gjithë kjo mbetet në kuadër të spekulimeve.
BBC