Tiranë, 13 prill NOA - Update - Kryeministri Sali Berisha ka sulmuar sot ashpër Prokurorinë e Përgjithshme dhe titullarin e saj Ina Rama lidhur me dosjen hetimore "Durrës-Kukës", duke e paralelizuar dhe me të sëmurë psiqikë.
Sipas Berishës, një proces gjyqësor i rregullt, është kushti më fondamental për një shtet demokratik.
Kryeministir i bëri vlerësimet sonte në një konferencë për shtyp. Ai tha se në këtë proces gjykatat e të gjitha niveleve janë shprehur në unison dhe kanë mbrojtur ligjet dhe Kushtetutën e vendit.
Çështja sipas kryeministrit, është marrë përsipër në mënyrën më politike dhe më të keqpërdorur.
Për Berishën, "të gjykohet akti kolektiv", është e papranueshme. Sipas tij, "këtë akt nuk e kanë bërë as në diktaturë, nuk e kanë bërë as prokurorë të sëmurë psiqikë, pasi nuk gjykohet akti kolektiv".
Berisha sqaroi se ka një dogmë në drejtësi dhe nuk mund të gjykohet kurrë akti kolektiv. Por verbëria politike ka shtyrë prokurorinë të merret me gjykimin e aktit kolektiv, i cili është akt politik.
Këtu kryeministri theksoi se "ministri ka zero implikim personal", - duke shtuar se "çdo gjë është vendim i Këshillit të Ministrave".
Në këtë pikë ka ardhur sulmi tjetër i Berishës ndaj Ina Ramës: "Një prokurore e papërgjegjshme ndaj ligjit dhe detyrës, mori përsipër dhe mendoi se mund të gjykojë aktet kolektive. Por aktet kolektive nuk mund t'i gjykojë askush. Ju duhet të jeni të bindur se kjo nuk do të mund të kapërcehet shumë thjesht. Nuk është Shqipëria një vend ku mund të gjykosh aktet kolektive. As diktaturat nuk e bëjnë këtë gjë. Ndërsa vendimet e gjykatës janë vendime gjykate dhe kanë të bëjnë me ligjshmërinë".
e.l/NOA