Prishtinë, 13 Prill NOA - Pretendenti i fronit mbretëror, Lartmadhëria e tij Leka Zogu i Parë, u prit sot (e Hënë) vetëm nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, megjithëse ishte paralajmëruar se ai do të zhvillonte takime edhe me liderët e tjerë institucionalë dhe liderin e AAK-së. Takimet me kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Parlamentit Jakup Krasniqi dështuan, informoi sot agjencia e lajmeve Kosova live në Prishtinë.
Kurse me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u takua djali i tij, Leka i II-të,
për shkak se Lartmadhëria e tij nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Derisa, dështimi i takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka ndodhur për shkak se, siç thuhej nuk gjendej në Kosovë, Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë asnjë arsye pse kryeministri nuk e ka takuar Pretendentin e fronit mbretëror. Edhe pse presidenca e Kosovës nuk kishte paraparë prononcim për media, megjithatë gjatë takimit, presidenti Sejdiu tha se Kosova dhe Shqipëria janë dy realitete të arrira dhe racionale të kohës. "Janë dy shtete të pavarura që askush nuk mund t'i ndajë asnjëherë në kuptimin e ndihmës dhe mbështetjes reciproke", tha Sejdiu. Ndërsa, Leka Zogu i Parë shprehu gëzimin e tij për pavarësinë Kosovës dhe se, sipas tij, do të ndodhin edhe njohje të reja të Kosovës.Â
Sakaq, Princi shqiptar, Leka Zogu i Dytë, u shpreh i zhgënjyer që babai i tij, Pretendenti për fronin mbretëror, Leka i Parë, nuk është pritur në vizitë nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Trashëgimtari i Fronit Mbretëror të Shqipërisë deklaroi se ai ishte i zhgënjyer që nuk arriti të takohet me Thaçin, edhe pse tha se ka raporte shumë të mira me përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), parti kjo që drejtohet nga Thaçi. "Unë personalisht kam marrëdhënie të mira me kryesinë e PDK-së, mirëpo më vjen shumë keq që në këtë aspekt kryeministri nuk ka zbatuar dëshirën e të gjithë kryesisë që të mos takojë naltmadhëninë e tij, por shpresojmë se agjenda e tij do të ndryshojë", tha princi Leka II. Ai i bëri këto komente gjatë një takimi që zhvilloi sot me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AKK), Ramush Haradinaj, në shtëpinë e këtij të fundit në lagjen Arbëria. Leka II Zogu i ka prirë sot vizitave në Kosovë, pasi i ati i tij u tha se nuk ndihej mirë me shëndet. Leka Zogu i Parë, ka mbërritur të dielën për një vizitë në Kosovë, të cilën e nisi me homazhe tek varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, vizitë familjes Jasharaj në Prekaz dhe familjes Haradinaj në Gllogjan të Deçanit. Në ditën e tretë të qëndrimit të tij në Kosovë, Leka Zogu I është planifikuar ta vizitojë Anamoravën, ku takon trashëgimtarët e familjes së Hysen Terpezës, ndërkaq nga Kuvendi Komunal i Vitisë shpallet "Qytetar nderi".