English

Ribëhet me këmbë e duar 28-vjeçarja, flet i shoqi: Masakra, nga dashuria për gruan

Nga bashkëpunëtori i Agjencisë së Lajmeve NOA, Nikos Samaras

Athinë, 13 prill NOA - Gruaja 28-vjeçar e cila dy ditë më parë u bë objekt i një krimi të shëmtuar ku protagonist i dyshuar ishte i shoqi, ka arritur të dalë nga rreziku për jetën, ndrysa ka rifituar edhe duar e këmbë që iu prenë me motosharrë.

Burime nga spitali shtetëror KAT i Athinës, bënë të ditur për bashkëpunëtorin e agjencisë së lajmeve NOA se pas një ndërhyrjeje të specializuar kirurgjikale, u bë ngjitja e këmbëve dhe duarve që i kishte prerë i shoqi 39-vjeçar I.Ramaj nga Librazhdi, i cili ndodhet nën arrest me burg.

Mjekët në spitalin shtetëror KAT të Athinës, thanë të Hënën, se shëndeti i 28-vjeçares, është tani nën kontroll, duke theksuar se ndërhyrja me ringjitjen e eshtrave ishte diçka e rrallë që funksionoi. Gjithsesi, mjekët treguan se njëra këmbë është në pikëpyetje nëse do të funksionojë ngjitja.

Hetimet

Nga hetimet e para, policia hodhi dyshimin se sherri që solli ngjarjen e frikshme, erdhi pas refuzimit të gruas 28-vjeçare për t'iu bashkuar familjes, duke qenë se ajo jetonte prej dy muajsh vetëm në Kalamatë, i shoqi në Veria po të Greqisë dhe fëmijët e tyre, në Shqipëri.

Sot i dyshuari doli para gjykatës penale të Kalamatës, ku prokurori kërkoi mbajtjen e tij në qeli deri në përfundim të hetimit, kërkesë që e pranoi gjykatësi i gatshëm.

Nga dëshmitë e dhëna prej të dyshuarit, krimi i së Shtunës erdhi nga pasioni që ai kishte dhe dëshira për të qenë afër të shoqes, dëshirë që haste në kundërshtitë e saj që prej dy muajsh kur edhe jetonin të ndarë.

Gruaja 28-vjeçare, para dy muajsh ishte larguar nga banesa në Veria ku jetonte me të shoqin dhe erdhi në Kalamatë. Atje, kishte nisur punë në një bar, në zonën e Pilias.

Sakaq, kishte nisur dhe një lidhje me një banor të zonës ku mori edhe një apartament me qera.

Këto fakte, kanë bërë që pasioni dashuror të "verbojë" 39-vjeçarin shqiptar i cili me një sharrë elektrike i preu këmbët dhe duart të shoqes dhe më pas e futi në bodrum, duke iu dorëzuar menjëherë më pas policisë dhe çuar forcat e saj në banesë ku kishte lënë të përgjakur të shoqen.

Ngjarja

Gjithçka e pati pikënisjen para dy muajsh. 39-vjeçari shqiptar, që identifikohet si I. Ramaj, lindur e banues në Librazhd, jetonte që nga muaji shkurt, në qytetin e Verias të rajonit Makedonia të Greqisë.

Para disa ditësh ai kishte shkuar në Shqipëri, ku kishte marrë fëmijët e tij, përkatësisht, tetë dhe dhjetë vjeçar të cilët jetonin me të afërmit e tij.

Një javë më parë, 39-vjeçari bashkë më dy fëmijët, ka mbërritur në Kalamatë, në shtëpinë me qera në rrugën "Navarinu" (që e shihni dhe në foto) të lokalitetit Mesinia, ku jetonte prej dy muajsh e vetme, e shoqja 28 vjeçe, raportojnë mediat greke.

Rreth orës 14.00 të ditës së Shtunë, 39-vjeçari ka debatuar ashpër me të shoqen. Shkak ishte pikërisht qëndrimi larg njëri-tjetrit. Debati është ashpërsuar shumë, aq sa klithmat nuk kishin të mbaruar.

Në një moment irritimi, 39-vjeçari ka rrëmbyer nga bagazhi i makinës, pranë shtëpisë një sharrë elektrike me zinxhir, e ka vënë në prizë dhe i është vërsulur të shoqes duke i prerë të dyja këmbët dhe të dyja duart deri lartë në krahë.

Kur ka "mbaruar punë", ka ndalur duke parë fëmijët që klithnin me të madhe. Ndoshta kjo e ka detyruar të mos vazhdojë më tej me sharrën e frikshme.

Ka marrë të shoqen në duar dhe ashtu të tërën në gjak, e ka futur në ashensor dhe më tej, i është drejtuar bodrumit ku e futi brenda dhe u ringjit në apartament.

Në këto çaste, dy fëmijët e tmerruar kishin dalë jashtë shtëpisë dhe nën klithma godisnin dyert e makinave të parkuara duke kërkuar ndihmë.

Menjëherë më pas, u është afruar i ati, i cili ka marrë dy fëmijët, i ka futur në makinë dhe i është drejtuar bulevardit pranë detit.

Atje i është afruar një patrulle policore dhe i ka njoftuar se ka masakruar të shoqen.

Vetë ai, i ka çuar policët tek qilari ku gjendej e shoqja.

Por njëkohësisht me këtë, ka qenë një shqiptar i cili punonte në pallatin përballë atij ku ndodhi ngjarja i cili ka dalluar gruan e përgjakur dhe ka njoftuar menjëherë ambulancën e cila menjëherë, e ka dërguar në spitalin shtetëror të Kalamatës.

Për shkak se arteriet e të plagosurës nuk po mbylleshin, me një helikopter ushtarak që shikoni në foto, ajo u transportua në spitalin shtetëror KAT të Athinës, ku mjekët pohojnë se gjendja e saj është kritike.

I dyshuari 39-vjeçar, pa dokumente të rregullta qëndrimi, u arrestua dhe u dërgua në një qeli paraburgimi të rajonit lokal policor.

Mësohet se fëmijët, gjenden në spitalin e Kalamatës, por autoritetet lokale kanë vendosur t'i dërgojnë në një qendër për trajtimin mbrojtës të fëmijëve me probleme në familje.

n.s/NOA

KOMENTE