English

Berisha: Në fund të mandatit të dytë, çdo fëmijë në shkollë të re apo të rindërtuar

Durrës, 14 Prill NOA - Kryeministri Sali Berisha inauguroi sot shkollën e re 9-vjeçare "Naim Babameto", në Spitallë, në Durrës, një investim me vlerë 1.1 milionë dollarë.

Shkolla ka një kapacitet me 1100 nxënës dhe është e ndërtuar sipas të gjitha standardeve bashkëkohore, me ambiente sportive, me kabinet informatike dhe internet, etj. Pas ceremonisë së inaugurimit, Kryeministri Berisha vizitoi disa nga ambientet e kësaj shkolle.

Kryeministri duke folur në ceremoni, siguroi se për qeverinë e tij shkollat janë shtëpia e dytë e fëmijëve tanë, ndaj, u angazhua se "deri sa këta fëmijë shqiptarë të hyjnë në një shkollë të re apo të rindërtuar, nuk do reshtim së investuari, në mënyrë që shtëpitë e dyta të fëmijëve tanë të jenë të bukura dhe moderne, ashtu siç janë dhe vetë fëmijët".

Berisha theksoi se "në më pak se katër vjet ne kemi ndërtuar nga e para, apo kemi rindërtuar 1012 shkolla në mbarë vendin", kurse premtoi se "gjatë mandatit tonë të dytë do të ndërtojmë nga e para ose do të rindërtojmë të gjitha shkollat ekzistuese".

"Pra, në fund të mandatit të dytë, çdo fëmijë shqiptar do të hyjë në një shkollë të re apo të rindërtuar", - përsëriti Berisha.

Sakaq, kryeministri lajmëroi se "në çdo shkollë të Shqipërisë brenda muajit maj mbi 600 mijë fëmijë shqiptarë që ndjekin shkollat do të mund të lundrojnë në internet", duke shtuar se "rrugën tonë drejt moshës dixhitale nuk do ta ndalojmë".

"Do të bëjmë çdo përpjekje, - tha Berisha, - që këto që bëmë për shkollat t'i bëjmë edhe për shtëpitë, në mënyrë që fëmijët tanë të kenë internet dhe kompjuter në shtëpitë e tyre".

a.a/NOA

KOMENTE