English

Edi Rama: Në fund të mandatit tonë të parë, varfëria do të përgjysmohet

Laç, 14 prill NOA - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zgjedhur qytetin e Laçit për të nisur turin për prezantimin e Programit të Ri Qeverisës, i cili tha se do të marrë jetë pas fitores së 28 qershorit.

Sipas liderit të opozitës, bëhet fjalë për një program, të ndërtuar mbi 7 shtylla kryesore.

Rama ka zgjedhur pikërisht qytetin e Laçit, i cili është shumë më i varfër se kurrë sot, për të shpalosur një nga shtyllat e programit të tij: Politikat Sociale.

Rama u fokusua te mbrojtja sociale dhe kujdesi social. "Duke besuar se në Shqipërinë e sotme ka jo vetëm një varfëri të dukshme, të prekshme dhe therëse në katër anët e vendit, por ka edhe një hendek të madh mes një shumice gjithmonë e më të varfër, që shtohet përditë dhe një pakicë gjithmonë e më të pasur që pakësohet përditë, në kuptimin që të ardhurat shkojnë përditë duke u përqendruar te një pjesë e vogël njerëzish, ndërkohë që mungesa e të ardhurave bëhet e ndjeshme gjithmonë për një pjesë më të madhe njerëzish", - deklaroi kryesocialisti.

Ai premtoi se "do t'ju ofrojmë shqiptarëve bashkëjetesë sociale dhe kohezion social, çka do të thotë se do të krijojmë kushtet që shqiptarët të kenë më shumë solidaritet mes njëri-tjetrit në rrugën drejt suksesit, ku Shqipëria të bëhet vendi ku punohet dhe jetohet me dinjitet dhe ku përfundimisht njerëzit do të ndahen nga varfëria e skajshme dhe e përjashtimit social".

Kryetari i PS theksoi se varfëria nuk është fat i keq i njerëzve, por pasojë e keqqeverisjes. "Varfëria nuk është bashkëudhëtare e pashmangshme e ekonomisë së tregut, por mungesë kushtesh për të vënë në jetë njohurit, shprehitë dhe aftësitë dhe talentet e njerëzve", - vlerësoi z.Rama.

Ai premtoi këtu se "ajo që do të përbëjë shtyllën themelore të këtij programi, do të jetë zëvendësimi i ndihmës ekonomike si lëmoshë, me ndihmën ekonomike si mundësi reale si punësim dhe kontribut të drejtpërdrejtë në komunitet e në shoqëri".

Duke premtuar se "ne nuk do t'i masim politikat sociale me rritjen e lëmoshës për të varfërit, siç bën qeveria e sotme", - Rama tha se "me marrjen e qeverisë, do të rikonceptohet programi i ndihmës ekonomike, me anë të punësimit.

"Për dinjitetin e familjeve të varfra, ne do të zëvendësojmë kafshatën e ndihmës ekonomike me mundësitë reale për punësim e kontribut në shoqëri dhe në mandatin e parë do të përgjysmohet numri i familjeve të varfra".

e.l/NOA

KOMENTE