Prishtinë, 14 Prill NOA - Në këtë hapësirë gjendet pasqyra e përditshme e gazetave shqipfolëse në Kosovë, për ditën e Martë, 14 Prill 2009, si dhe një analizë dhe përmbledhje e kryetitujve kryesorë të gazetave. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip dhe anglisht.
Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t'u abonuar në këtë shërbim dhe për t'u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e email: info@noa.al.
Java e dosjeve" titullohet një nga shkrimet kryesore në të përditshmen "Express", në të cilin sillen hollësi mbi përgatitjet që Kosova dhe Serbia po bëjnë për përballjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kosova dhe Serbia do të dorëzojnë këtë javë deklarata qindra faqesh për legalitetin e Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit në GJND. "Express" shkruan se shtetet më të fuqishme perëndimore pritet të dëshmojnë në favor të kauzës së Kosovës. Ndërsa, Rusia, Kina, Azerbajxhani, Argjentina, Bolivia, Venezuela, Rumania, Qipro dhe Sllovakia mund të përkrahin iniciativën e Serbisë. Në të njëjtën temë, e përditshmja "Zëri" citon ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, të ketë thënë se rasti juridik i Serbisë është konceptuar jashtëzakonisht mirë në mbi 300 faqe dhe se në përgatitjen e tij kanë marrë pjesë ekspertë juridikë më eminentë të botës. Por, as Kosova nuk është keq, sipas të përditshmes "Kosova sot". Kjo gazetë citon zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të kenë thënë se Prishtina ka bërë punë të jashtëzakonshme rreth deklaratës, e cila është voluminoze, prej qindra faqesh. Kjo gazetë citon presidentin Sejdiu të ketë thënë se dokumenti është i shkëlqyeshëm dhe sjell argumentet më të rëndësishme të mundshme për të gjitha zhvillimet e Kosovës. Prania e vazhdueshme e misionit të OKB-së në Kosovë dhe paqartësitë tjera legale të misioneve ndërkombëtare në vend vazhdojnë të jenë tema që mbushin faqet e gazetave kosovare. E përditshmja "Koha Ditore" citon sot një publikim të Fondacionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Dialog të Jashtëm, në të cilin propozohet një, siç quhet, alternativë evropiane për pakon e Ahtisaarit. Ky fondacion thuhet të ketë vlerësuar se politikat e Bashkimit Evropian në raport me Kosovën dhe Serbinë, duhen rishqyrtuar, meqë angazhimi i deritanishëm në terren i evropianëve ka qenë i zbehtë e i dezorientuar dhe ka dështuar të krijojë efektet e pritura, duke e bërë të vështirë edhe funksionimin e Kosovës. "Duke marrë parasysh mungesën e konsensusit mbi planin e Ahtisaarit, BE-ja duhet që urgjentisht t'i marrë çështjet në duart e veta dhe të gjejë një zgjidhje që do të ishte e pranueshme për të gjitha palët", thuhet mes tjerash në analizën e titulluar "Funksionalizimi i Kosovës", të cilën e boton "Koha Ditore". Një analizë tjetër mbi gjendjen në Kosovë dhe Ballkan sjell e përditshmja "Lajm". Duke sjellë thekse nga konferenca "Kompletimi i misionit amerikan në Ballkan", të mbajtur në Uashington, "Lajm" shkruan se konkluzionet e të pranishmëve kanë qenë se misioni amerikan në Ballkan ka qenë i suksesshëm, por SHBA-të duhet të shtojnë angazhimin në këtë pjesë, deri në përmbushjen e misionit - integrimin euroatlantik. E përditshmja "Bota sot" sjell një shkrim mbi grevën e filluar të ish-ushtarëve të UÇK-së, të cilët kërkojnë zbatimin e ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së dhe përkujdesjen për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës. "Epoka e re" vlerëson se këta dhjetëra ish-luftëtarë të UÇK-së që kërkojnë trajtim më të mirë, nuk kanë mbështetjen e organizatës së veteranëve të luftës në lidhje me këtë grevë. Ndërkohë, në një editorial të saj, "Kosova sot" thekson se veteranët e luftës meritojnë të mos brengosen për mbijetesën e tyre, sepse ata veç mbijetuan një herë në luftën për lirinë e ne të tërëve. Greva e urisë para Qeverisë, që udhëhiqet nga ish-drejtuesi politik i UÇK-së, është tregues i dëshpërimit dhe realitetit të harruar, shkruan "Kosova sot".