Tiranë, 14 prill, NOA - Nis sot në Gjykatën Kushtetuese gjykimi mbi projektligjin "Për pastrimin e figurës së zyrtarëve të lartë në administratën shtetërore", i cili pak javë më parë u pezullua për zbatim nga ky organ.
Burime pranë këtij institucioni bëjnë të ditur për agjencinë e Lajmeve NOA se sot anëtarët e Kushtetueses do të merren me shqyrtimin e tre kërkesave të depozituara si formë animimi ndaj këtij ligji.
Bëhet fjalë për atë që ka paraqitur Partia Socialiste, Shoqata e Prokurorëve dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Socialistët nga ana e tyre kërkojnë rishikimin e 28 neneve të këtij ligji.
PS u referohet neneve që kanë të bëjnë me ndarjen e pushteteve, të drejtën e punës, për të mbrojtur nderin njerëzor, pafajësisë së prezumuar, për të mos u ndëshkuar dy herë për një veprim dhe të drejtën për t'u zgjedhur. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e prokurorëve kanë renditur 6 pika si argumentet kryesore me të cilat ata kërkojnë shfuqizimin e ligjit të dosjeve në Gjykatën Kushtetuese. Sipas prokurorëve, ligji në fjalë bie ndesh me parimin e prezumimit të pafajësisë dhe me ligjin organik të Prokurorisë, i cili është miratuar me shumicë të cilësuar votash, plot 84 të tilla, pra me më shumë mbështetje parlamentare sesa ligji i dosjeve që u miratua me shumicë të thjeshtë.
Kurse sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ligji i lustracionit "bie ndesh me dispozitat kushtetuese dhe me disa ligje në fuqi". Për rrjedhojë, KSHH kërkon shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën.
n.e/NOA