Shkup, 14 prill, NOA - Kryeminstri maqedonas, Nikolla Gruevski, nuk pret që të ketë ndonjë zgjidhje konkrete apo përparim në bisedimet me palën greke, para se të përfundojnë zgjedhjet në Greqi për Parlamentin Evropian.
" Nimië do të presë të përfundojnë zgjedhjet në Greqi dhe të krijohen kushte për negociata normale. Deri atëherë ndoshta do të ketë ndonjë komunikim, megjithatë nuk do të ketë diçka të madhe e serioze në atë drejtim", tha kryeministri Nikolla Gruevski.
Ai kërkoi nga homologu i tij grek, Kostas Karamanlis, të mos përdorë fjalor që i tensionon marrëdhëniet dypalëshe.
"Kjo nuk është gjë e re prej tij, vazhdimisht fokusohet në këto gjëra, unë fokusohem për zgjidhje të problemit dhe jo në zënka. Do ta ftoja edhe atë që të mos merret me zënka, të mos merret me historinë, por të merret me gjetjen e zgjidhjeve të cilat do të jenë të pranueshme për të dyja palët dhe për qytetarët e dy vendeve", tha kryeministri Nikolla Gruevski.
Reagimi i kryeministrit maqedonas erdhi pas një deklarate të homologut grek Kostas Karamanlis se rruga e Maqedonisë për integrimin në strukturat euro-atlantike kalon detyrimisht nga marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
"Pasaporta e tyre për strukturat euro-atlantike kërkon një emër të përbërë, me referencë gjeografike dhe që të vlejë kundrejt të gjithëve. Përgjegjësia për këtë pasaportë i përket Shkupit", ka thënë kryeministri grek, Kostas Karamanlis.
Ky fjalor i qeveritarëve të të dy shteteve nuk çon drejt zgjidhjes së shpejtë të këtij problemi disavjeçar, vlerësojnë vëzhguesit në Shkup.
Diplomatë perëndimorë të akredituar në Shkup, kanë kërkuar që qeveria maqedonase pas përfundimit të procesit zgjedhor, që u vlerësua si pozitiv, ta shpejtojë procesin për zgjidhjen e dallimeve me Greqinë rreth emrit kushtetues të vendit.
Me këtë do të hiqej edhe pengesa e fundit e Maqedonisë drejt integrimit të saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
NOA-INA
Â