English

Heshti për abuzimin seksual te "Fëmijët e tij", nis gjyqi për drejtorin e klinikës ABC

Tiranë, 14 prill NOA - Ka nisur sot, procesi gjyqësor në ngarkim të drejtorit të klinikës ABC, Guy Eshelman i cili nuk denoncoi abuzimet seksuale që ishin kryer në qendrën "Fëmijët e tij".

Prokuroria e Tiranës ka lexuar sot kërkesën për gjykim si dhe listën e dëshmitarëve që duhet të paraqiten në këtë proces gjyqësor.

Në kërkesë bëhej me dije se i pandehuri, i cili gjykohet në gjendje të lirë, ka vizituar fëmijët e mitur të sjellë në qendër nga i dënuari Devid Braun.

Nga ekzaminimi, sipas akuzës, ka rezultuar se fëmijët kanë qenë të abuzuar. Doktori në një relacion shpjegonte se nuk ia vinte dot gishtin asnjë personi.

Gjatë seancës së sotme, gjyqtari Martin Deda ka rrëzuar kërkesën e bërë nga ana e të pandehurit Eshelman, për shpalljen e pavlefshme të deklarimeve të tij, të dhëna gjatë hetimeve paraprake.

Hetimet ndaj Eshelman nisën një vit më parë, kur gjatë procesit gjyqësor në ngarkim të të dënuarit Xhon Devit Braun, rezultoi se drejtori i klinikës ABC, i kishte kryer disa vizita fëmijëve, duke konstatuar se këta të fundit kanë qenë të abuzuar seksualisht.

Në një raport të përpiluar nga i pandehuri, bëhej me dije se ai nuk mund t'ia vinte gishtin të dënuarit Bruan.

Akuza pas marrjes në pyetje dhe deklarime të Eshelman se kishte pasur dijeni dhe kishte kryer një kallëzim penal, ka nisur verifikimet, ku dhe ka provuar se i pandehuri nuk ka denoncuar për skandalin seksual në atë qendër.Â

Vetë Eshelman është justifikuar se kishte bërë denoncim për këto abuzime, por nga verifikimet e prokurorisë ka rezultuar krejt e kundërta. Eshelman akuzohet për veprën penale të "moskallëzimit të krimit".

e.l/NOA

KOMENTE