English

Ish-"Xhamlliku", tani sheshi bashkëkohor "Shtraus" në Tiranë

Tiranë, 14 Prill NOA - Me një vlerë prej 25 milionë lekësh nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës është mundësuar rikualifikimi urban i sheshit "Shtraus", i njohur ndryshe si "Xhamlliku".

Sheshi "Shtraus" ndodhet në pjesën lindore të Tiranës, përgjatë aksit të rrugës "Qemal Stafa", në kryqëzimin e saj me rrugën "Hoxha Tahsim".

Rehabilitimi i tij i ofron kryeqytetit një imazh bashkëkohor dhe tërësisht të rinovuar, duke përftuar tashmë një shesh të ri urban, pas disa syresh të ngjashëm të cilët prej kohësh janë pjesë e imazhit evropian të kryeqytetit.Â

Kryebashkiaku Edi Rama ishte sot në ceremoninë e përurimit. Ai tha se "Tirana me shumë qendra është një ide e vjetër, por që sot po fillon të gjejë shtrirje në realitetin e kryeqytetit, ku kemi tashmë një qendër të re, të një zone e cila e kishte të domosdoshme këtë hapësirë të gjerë publike dhe këtë pikë të përbashkët referimi".

Rama u shpreh krenar për përfundimin e këtij projekti, i cili i jep një cilësi tërësisht të re kësaj zone, duke theksuar se "u jep një pikë të re referimi të gjithë komunitetit të zonës dhe transformon edhe vlerën e të gjithë këtyre banesave, hapësirave të biznesit rreth e rrotull".

Për Ramën, kjo është një arritje e përbashkët me të gjithë këtë komunitet dhe ky projekt është rezultat i dëgjesave publike dhe një mbajtje shënim e një kërkese të komunitetit, për të pasur këtu një nga qendrat që do të përbëjnë rrjetin e Tiranës policentrike".

Pjesa qendrore e këtij sheshi do të shërbejë kryesisht për t'u dhënë mundësi banorëve të zonës të çlodhen e të kenë hapësirën e tyre të nevojshme të pushimit, ndërkohë që pjesa veri-perëndimore është konceptuar si një zonë pedonale.

Dendësia e pemëve, stolat e vendosura nën hijen e tyre, do të krijojnë një oaz pushimi për banorët në ditët e nxehta të verës. Pemët dekorative (kumbull e kuqe), kanë krijuar një performancë të veçantë gjelbëruese dhe çlodhëse, që do t'i shërbejë jo vetëm komunitetit të zonës, por edhe kalimtarëve të shumtë që kalojnë në këtë pjesë të qytetit.

Ndriçimi, një element i rëndësishëm në projektin e rikualifikimit të sheshit, është konceptuar si një i tillë; veç trotuareve dhe rrugëve ai do ti shërbejë edhe platformës së mbjellë me pemë, duke bërë që ky shesh urban të jetë po aq i gjallë edhe gjatë orëve të mbrëmjes.

Në pjesën pedonale janë vendosur ndriçues të ulët, të cilët e bëjnë më dekorative hapësirën rreth platformës qendrore të tij.

Një nga komponentët më të rëndësishëm në projektin e rikualifikimit urban të sheshit, është dhe ndërhyrja në fasadat ekzistuese të objekteve, që konturojnë sheshin "Shtraus", gjë e cila plotëson imazhin tërësisht të rehabilituar të një sheshi model të standardeve evropiane.

e.l/NOA

KOMENTE