Tiranë, 14 prill, NOA - Ligji "Për pastrimin e figurës së zyrtarëve të lartë në administratën shtetërore" nuk paraqet asnjë konflikt interesi nga ana e Gjykatës Kushtetuese siç pretendon Kuvendi.
Një fakt i tillë është pohuar sot nga anëtarët e këtij institucioni gjatë mbledhjes së zhvilluar për marrjen në shqyrtim të tij, ashtu siç ishte parashikuar që nga pezullimi i tij në datën 16 mars të këtij viti.Sipas burimeve për agjencinë e Lajmeve NOA, takimi i radhës për shqyrtimin e këtij ligji është caktuar në datën 7 maj.
Kjo pasi u mor parasysh kërkesa e Partisë Socialiste, e cila i ka dërguar një letër të posaçme Gjykatës Kushtetuese, në të cilën pohon se shqyrtimi i Dosjeve duhet të shtyhet pasi dy ekspertë të saj mungojnë gjatë datave 13-18 prill.
Ndërkaq, përfaqësuesi ligjor i parlamentit ka kërkuar që të shqyrtohet qënia në konflikt interesi e Gjykatës Kushtetuese, por anëtarët e saj e kanë cilësuar si abstrakte këtë kërkesë.
Kjo kërkesë ka hasur edhe në reagimin e Shoqatës së Prokurorëve dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të cilët e kanë quajtur të pabazë kërkesën e parlamentit. Përmes përfaqësuesve të tyre ligjorë, këto dy institucione i kanë qëndruar idesë se gjykata është garanti i Kushtetutës.
n.e/NOA