Tiranë, 14 Prill NOA - Kompania e fluturimeve Lufthansa ka vendosur të dyfishojë fluturimet e saj me Shqipërinë në linjën Tiranë-Munih.
Zyra për shtyp bëri të ditur sot se shërbimi i ri rrit ofertën e Lufthansas në 2,400 vende në javë midis Tiranës dhe Munihut, duke theksuar se Evropa Qendrore Lindore do të jetë fokus i zgjerimit për verën e vitit 2009.
Gjiganti gjerman i ajrit dhe një nga linjat ajrore më në zë në botë, ka nisur fluturimet e dyfishta nga Tirana në Munih që nga 1 prilli 2009.
Shërbimi që ofrohet dy herë në ditë operohet nga një avion me 86 vende në Klasin Biznes dhe Ekonomi, pritet të rrisë dyfish numrin e pasagjerëve që do të fluturojnë midis Tiranës dhe Munihut.
Itinerari i ri i shtohet shërbimeve ekzistuese që ofrohen nga grupi Lufthansa dhe është përshtatur për të ofruar koordinimin optimal të kohës së udhëtimit si për pasagjerët e biznesit dhe për pasagjerët për turizëm.
Ky shërbim do t'i ofrohet shqiptarëve që jetojnë në Gjermani, të cilët kthehen për pushime në vendin e tyre, komunitetit të biznesit në Shqipëri, Gjermani e më gjerë si dhe intensifikimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Avioni i parë LH 3399 niset nga Tirana në orën 6:25 të mëngjesit dhe mbërrin në orën 8:15 në Munih duke i lejuar të gjithë pasagjerëve të kenë në dispozicion gjithë ditën në Munih.
Ata do të mund të përdorin një nga mbi 2400 linja tranzit në javë dhe të fluturojnë në mbi 100 destinacione ofruar nga aeroporti i Munihut. LH 3398 do të niset nga Munih në 21:30 dhe mbërrin në Tiranë në orën 23.10 të mbrëmjes.
Lufthansa ka aplikuar çmime te reja, shume te lira për udhëtimet nga Shqipëria, duke ofruar në këtë mënyrë një udhëtim vajtje-ardhje nga Tirana në Munih për vetëm 89* Euro dhe një çmim prej 189 euro për 60 qytete evropiane. Çmimi përfshin taksat dhe tarifa të tjera, përveç tarifës për shërbimet ndaj biletës.
Kjo do të bëjë të mundur që më tepër udhëtarë shqiptarë të përfitojnë udhëtime sa më të komode me standardet më të larta.
e.l/NOA