English

Pas anëtarësimit në NATO, Shqipëri-SHBA intensifikojnë bashkëpunimin

Tiranë, 14 Prill NOA - "Jemi të gjithë të lumtur që Shqipëria u anëtarësua në NATO dhe bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë do të jetë shumë më i fortë dhe më intensiv".

Ky ishte pohimi që iu bë sot Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli nga Frank Wisner, një nga diplomatët e mirënjohur të Shteteve të Bashkuara, ish i dërguari special i Departamentit të Shtetit në Kosovë, i cili ka shërbyer si Nënsekretar i Shtetit për çështje të sigurisë.

Duke cilësuar si të jashtëzakonshme ngjitjen e Shqipërisë, Wisner e vlerësoi këtë transformim si "mrekullia e madhe e historisë së mbijetesës së Shqipërisë"

Wisner po ashtu, falënderoi Qeverinë dhe të gjithë shqiptarët për rolin e Shqipërisë në pavarësinë e Kosovës.

"Influenca e vendit tuaj, - tha ai i ka shërbyer fort stabilitetit të Ballkanit. Ne kemi nevojë për ju, Ballkani ka nevojë për paqe të qëndrueshme dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të këtë influencë në të gjithë rajonin ballkanik".

"Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe Shqipërinë është e pazëvendësueshme, dhe kombi shqiptar do t'u jetë gjithnjë mirënjohës, tha Kryetarja e Kuvendit, e cila falënderoi z. Wisner edhe për kontributin e tij personal për Kosovën dhe për çështjen shqiptare.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte një ngjarje epokale për Shqipërinë, vend që ka vetëm 17 vjet që është ndarë nga regjimi totalitar, theksoi Kryetarja e Kuvendit, dhe mbështetja e NATO-s ka qenë dhe mbetet shumë e rëndësishme për të gjithë Ballkanin.

Më tej biseda u fokusua dhe në zgjedhjet e ardhshme, të cilat Kryetarja e cilësoi si zgjedhjet që do ta ndajnë Shqipërinë nga e kaluara e proceseve zgjedhore.

 "Prioriteti ynë kryesor tha Kryetarja e Kuvendit, është që Shqipëria të ketë zgjedhjet më të mira, me një infrastrukturë moderne zgjedhore dhe me vullnetin tonë të fortë që këto zgjedhje të jenë plotësisht të standardeve evropiane".

e.l/NOA

KOMENTE