English

Policia e Durrësit prononcohet mbi incidentin me armë ku u përfshi një polic

Durrës, 14 Prill NOA - Policia e Durrësit tha sot se ka kryer hetime në lidhje me ngjarjen që ndodhi një ditë më parë në një lokal të lagjes nr 12 të qytetit bregdetar.

Në incident, mbetën të plagosur polici 27-vjeçar Vlash Ashiku dhe bashkëmoshatari i tij, Shehat Muda.

Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA citon policinë të konfirmojë se sot, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit bënë të mundur dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e dy personave, që identifikohen si bashkëpunëtorë në krim.

Të arrestuarit janë Alban Mancja 24 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në lagjen nr.17 dhe emigranti 23-vjeçar Amarildo Gjeka, edhe ai me vendbanim në lagjen nr 17 të Durrësit.

"Arrestimi i tyre u bë për arsye se në bashkëpunim me 19-vjeçarin nga Durrësi, Armando Lama, pas një konflikti për motive të dobëta kanë tentuar të vrasin me pistoletë të riun Ermal Tuka, kamarier në lokalin "Golden" të Aleksandër Hasit", - konfirmuan për agjencinë NOA, burime zyrtare policore.

Ata thanë edhe se po vazhdon puna për kapjen e autorit tjetër të kësaj ngjarjeje, i cili është shpallur në kërkim.

Mbi të dyshuarit, janë ngritur akuzat e "vrasjes me dashje" e mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim dhe "Mbajtje pa leje e armëve luftarake".

a.a/NOA

KOMENTE