English

PS: Letërnjoftimet, Berisha po e komplikon më shumë procesin

Tiranë, 14 prill NOA - Partia Socialiste vlerësoi sot se masat e publikuara nga qeveria, për një skemë të re rimbursimi të pagesës së kartave të identitetit, vetëm sa e komplikojnë dhe çorientojnë dhe më shumë procesin.

Për të folur mbi këtë argument, doli sot në mesditë para mediave, Damian Gjiknuri, Nënsekretar i Çështjeve Ligjore në PS.

Ai paralajmëroi se sipas PS, "nëse nuk ka zgjidhje të arsyeshme brenda muajit prill procesi mund të quhet i dështuar".

Gjiknuri sqaroi se situata me procesin e pajisjes me letërnjoftime tashmë ka hyrë në fazën më kritike.

Kjo për arsyen e thjeshtë, sipas Gjiknurit, se nëse nuk ndërmerret një ndryshim radikal në lidhje me politikën e pajisjes së shtetasve me letërnjoftime brenda muajit prill, procesi përfundimisht dështon, dhe bashkë me të edhe çdo grimcë legjitimiteti për zgjedhjet.

Për PS, "deklarimet dhe propozimet që serviri kryeministri dje, përfundimisht konfirmojnë ekzistencën e problemit që Partia Socialiste ka kohë që e ka bërë prezent, problem ky që po rrezikon seriozisht procesin e ardhshëm zgjedhor".

Gjiknuri akuzoi më tej Kryeministrin se "në vend që të ofrojë zgjidhje të pranueshme për problemin që tashmë vetë e pranon, ofron skema aplikimi që më shumë komplikojnë dhe e ç'orientojnë se sa zgjidhin problemin, duke anashkaluar çështjen themelore, atë të pamundësisë ekonomike për pagesën fillestare të letërnjoftimit".

Gjithashtu, - vijoi Gjiknuri, - kryeministri në vend që të ofrojë mirëkuptim dhe të punojë për zgjidhjen e një problemi që i takon ta zgjidhë vetëm qeveria e tij, bën diversione politike duke akuzuar opozitën për bërjen publike të problemit që tashmë vetë qeveria po e pranon se ekziston.

Në këtë pikë, Gjiknuri sqaroi se Partia Socialiste është më e interesuar se kushdo për pajisjen në kohë të zgjedhësve pa pasaportë me letërnjoftime, me qëllim zhvillimin e zgjedhjeve të lira. Nën dritën e këtij qëllimi, me kohë i propozuam qeverisë adresimin e kësaj kategorie që kur ky proces filloi.

e.l/NOA

KOMENTE