Tiranë, 15 Prill NOA - Tre dëshmitarë të mbrojtjes kanë dëshmuar sot në procesin gjyqësor, në ngarkim të ish-shefit të Qarkullimit Rrugor, Krenar Ahmeti.
Dëshmitarët kanë treguar, rrethanat sipas tyre të shoqërimit të avokatit Agron Bajri dhe qytetarit Hekuran Neza.
Dorjan Sejdini, Arben Lloci dhe Florian Masha, ishin të tre punonjës të Patrullave të Përgjithshme.
Para gjykatësit të çështjes Martin Deda, ata kanë sqaruar se ditën e ngjarjes, më 17 maj të vitit të kaluar janë njoftuar në radio për të shkuar në afërsi të hotel "Dajtit", pasi policia rrugore kërkonte ndihmë.
Në momentin që kanë shkuar aty, ishte pretendimi i tyre, kanë parë ish-shefin e Qarkullimit Rrugor, i cili ka qenë duke sqaruar një qytetar, ndërsa nga ana tjetër së bashku me të ka qenë edhe një zonjë.
Të tre dëshmitarët kanë mbushur me elozhe figurën e Ahmetit, një person me sjellje të dyshimtë ndaj qytetarëve, duke pretenduar se ai ka zbatuar ligjin, ishte sjellë shumë mirë, si dhe nuk kishte fyer askënd.
I pyetur nga mbrojtja nëse zonja që ishte e pranishme, kishte përmendur apo jo faktin që ishte prokurore, të tre dëshmitarët e kanë mohuar.
Në seancën e radhës, gjykata do të thërresë për të dëshmuar dëshmitarin Besmir Matoshi, i cili nuk dëshmoi dot në seancën e djeshme për arsye se nuk kishte dokument identifikimi.
Ish-Shefi i Qarkullimit Rrugor, Krenar Ahmeti së bashku me dy ish-vartësit e tij, Blenard Vathin dhe Alfons Gjonin akuzohen nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale të veprimeve arbitrare.
Tre të pandehurit u paditën nga prokurorja e Krimeve të Rënda, Elisabeta Bajri (Ymeri), bashkëshorti i saj, si dhe një qytetar, Hekuran Neza, të cilët pretendojnë se janë shoqëruar padrejtësisht në Komisariatin Nr 2, si dhe janë ofenduar.
e.l/NOA