Kakavijë, 15 prill, NOA - Doganierët grekë kanë paralajmëruar një grevë tre-orëshe në të gjitha pikat doganore të rajonit të Greqisë veriperëndimore, nga ora 7.00 deri në orën 10.00 të paradites së sotme.
Pritet që një gjë e tillë të ndikojë edhe në problemet e kalimit të emigrantëve në kufirin me Shqipërinë, të cilët gjatë këtij orari gjenden të rreshtuar në pikat doganore për të mbërritur në atdhe me rastin e festës së Pashkëve.
Për një arsye të tillë, zyrtarët shqiptarë kanë njoftuar për radhë të gjata në doganat kryesore në kufi me Greqinë, Kakavijë, Kapshticë dhe Tre Urat.
Ndërsa drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka njoftuar subjektet tregtare dhe qytetarët të marrin në konsideratë këtë fakt dhe të shmangin kalimin e tyre ose të mallrave në këto orare.
Greqia është përballur keto kohe me një sërë protestash dhe grevash të sektorit publik. Situata në vendin fqinj është tensionuar tej mase për shkak të krizës së rëndë ekonomike, por edhe përplasjeve të fundit mes policisë dhe protestuesve pas vdekjes së një adoleshenti në muajin dhjetor. n.e/NOA