English

Faqet e para të gazetave në Kosovë dhe analizë e titujve kryesorë 15 Prill 2009

Prishtinë, 15 Prill NOA - Në këtë hapësirë gjendet pasqyra e përditshme e gazetave shqipfolëse në Kosovë, për ditën e Mërkurë, 14 Prill 2009, si dhe një analizë dhe përmbledhje e kryetitujve kryesorë të gazetave. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip dhe anglisht.

Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t'u abonuar në këtë shërbim dhe për t'u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e email: info@noa.al

Shtypi kosovar

as sot nuk ka mundur t'i shmanget procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, tani kur kanë mbetur vetëm dy ditë para se të përfundojë afati për dorëzimin e deklaratave, në rastin e Kosovës për të argumentuar shpalljen e pavarësisë. E përditshmja "Koha Ditore" shkruan se nga 15 gjyqtarë sa ka GJND-ja, vetëm 6 vijnë nga shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa nëntë të tjerë nga ato që nuk e kanë bërë këtë. Megjithatë, gazeta ka vënë në pah se gjyqtarët e këtij trupi, sipas rregullave të tij, nuk përfaqësojnë shtetet prej nga vijnë dhe janë të pavarur në vendimet e tyre. "Koha Ditore" shkruan se pala kosovare nuk pret që kompozicioni i gjyqtarëve në GJND dhe i vendeve nga ata vijnë, do të mund të paraqesë ndonjë rrezik për Prishtinën, pasi që, sipas tyre, mendimi këshillëdhënës i gjykatës do të jetë profesional dhe i pavarur. Gazetat kosovare shkruajnë sot se megjithëse shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, është duke kërkuar që një kohë të gjatë që të takojë liderët kosovarë, këta të fundit po i bëjnë bisht takimit të tillë. E përditshmja "Zëri" shkruan se Sejdiu dhe Thaçi e kanë vënë në listë të pritjes Zannierin. Tutje, kjo gazetë njofton se presidenti Sejdiu, përmes deklaratave publike, ka bërë të ditur se mund të takohet me Zannierin, por duke nënvizuar se UNMIK-u duhet ta kuptojë se e ka përmbyllur mandatin dhe se ky mision më nuk mund të përfaqësojë Kosovën. Sipas gazetës, zëdhënësi i UNMIK-ut, Russell Geekie, ka deklaruar se shefi i administratës së OKB-së mbetet në pritje të përgjigjes. Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, është cituar të ketë thënë se edhe nëse mbahet ky takim, ai do të jetë në treshe, ku do të marrin pjesë presidenti dhe kryeministri në njërën anë dhe shefi i UNMIK-un në anën tjetër. Ndërkohë, duke mbetur te prania e UNMIK-tu në Kosovë, e përditshmja"Epoka e re" shkruan se ky mision është duke pritur ende detyrat e ardhshme nga Këshilli i Sigurimit. Nga ana tjetër, një temë tjetër që shtjellohet në shtypin e sotëm janë raportet Kosovë -Shqipëri. E përditshmja "Kosova sot", në një editorial të saj, shkruan se Shqipëria dhe Kosova vazhdimisht po i premtojnë njëra-tjetrës se do ta thellojnë bashkëpunimin, por megjithëse janë zhvilluar disa vizita këndej e andej kufirit, përtej karakterit protokollar nuk janë vërejtur nisma konkrete. Tutje, gazeta shkruan se flitet për zonat e lira doganore, por ato mbeten ide në ajër, flitet për forcimin e lidhjeve ekonomike, por thuajse nuk ka asnjë nismë për të përmendur. Nga të gjitha ato që kanë bërë Tirana e Prishtina, vlen të përmendet vetëm ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, vlerëson "Kosova sot". Po në kuadër të këtyre raporteve, e përditshmja "Bota sot" njofton se aftësimi i Portit të Shëngjinit për nevojat e Kosovës, është i afërt. Ndërsa, "Epoka e re" shkruan se Shqipëria do t'i ndihmojë Kosovës edhe në Hagë. Kjo, duke u mbështetur në deklaratat e parlamentarëve shqiptarë, gjatë qëndrimit në Prishtinë, të cilët kanë thënë se në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar dhe Shqipërinë, do të hapen të gjitha dyert e pahapura në institucionet ndërkombëtare.

KOMENTE