Tiranë, 15 Prill NOA - Në këtë hapësirë gjendet pasqyra e përditshme e gazetave në Tiranë, për ditën e Mërkurë, 15 Prill 2009, si dhe një analizë dhe përmbledhje e kryetitujve kryesorë të gazetave. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip dhe anglisht.
Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t'u abonuar në këtë shërbim dhe për t'u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e e-mail: info@noa.al
Gazeta e përditshme "Shekulli" ka si argument kryesor të ditës atë për ngjarjen e 15 marsit 2008 ku 26 vetë gjetën vdekjen, rreth 300 të tjerë u plagosën dhe u shënuan dëme në vlerë afro 20 milionë euro, si pasojë e shpërthimit të municioneve të kalibrit të rëndë. "Sehkull", nën titullin "Balliu dhe Delijorgji ndërtuan Gërdecin", publikon dokumente të cilësuara "sekrete" ku tregohet si Shtabi i Mbrojtjes informoi ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes Fatmir Mediu, për veprimet e kompanisë TDC që "Shekulli" evidenton se ishte e vajzës së Fahri Balliut, botues i të përditshmes proqeveritare "55" dhe Mihal Delijorgjit, aktualisht nën arrest me burg.
Një tjetër shkrim kryesor i së përditshmes është "Skema si do të rritet çmimi i energjisë elektrike".
Në këtë të përditshme mund të lexoni edhe opinionin nga Eda Derhemi, studente në një universitet të SHBA, "Basha e di që është fajtor".
E përditshmja "Panorama" hapet me një intervistë që Ben Blushi i dha mbrëmë televizionit Alsat dhe thekson citimin "Nano duhet të jetë në listën e PS-së". Në këtë intervistë, Blushi flet edhe për marrëdhëniet e tij me Edi Ramën, duke pohuar se "që të dy kemi ndryshuar".
Nga Besnik Mustafaj, mund të lexohet opinioni "Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni dhe shqiptarët".
Kurse nga Mirela Kumbaro, komenti "O burra gjeni gra!".
Nga Edmond Harizaj, spikat komenti "A është Rama burrë shteti?".
Po në këtë të përditshme publikohet dhe një deklaratë e presidentit aktual Bamir Topi, të ketë thënë se "është ende herët që të jem në krye të PD", duke theksuar se gjithsesi ai mbetet "i djathtë".
"Gazeta Shqiptare", ka edhe ajo si argument kryesor ngjarjen e Gërdecit dhe çelet me titullin "Këshilltari i Berishës ndërtoi Gërdecin", duke aluduar për botuesin e "55" Fahri Balliu, i njohur si përkrahës i flaktë i kryeministrit Berisha.
Kjo gazetë evidenton në faqen e parë një njoftim të Policisë Ushtarake më 2007 t'i ketë bërë të ditur Mediut se "Firma prishi infermierinë, lokalin e repartit dhe terrenin sportiv".
Kjo e përditshme ka edhe një vëzhgim për gjimnazin "Petro Nini Luarasi" në kryeqytet. Sipas të përditshmes, atje vajzat preferojnë "Benz"-at luksozë.
Argumenti ekonomik i "Gazetës Shqiptare" është ai për dritat. Gazeta evidenton një citim sipas saj të Bankës Botërore, të ketë deklaruar se "Vitin tjetër dritat rriten me 15 për qind".
E përditshmja "Koha Jonë", çelet me titullin "Heqja e vizave, s'ka pengesa nga BE". Gazeta citon drejtorin e Grupit Ndërkombëtar të Krizës për Ballkanin, Piter Palmer, të ketë deklaruar se liberalizimi i vizave të vendeve të Ballkanit me shtetet e Bashkimit Evropian nuk pritet të ketë bllokime për shkak se asnjë vend nuk gëzon të drejtën e vetos dhe uniteti në vendim, nuk është i nevojshëm.
Sakaq, publikohet dhe një citim nga Bruno Le Mer, Sekretari Francez i Shtetit i cili trajton çështjen e zgjerimit. Sipas tij, "Ballkani do të futet në BE dhe menjëherë më pas do të ndalet zgjerimi".
Nga argumentet sociale, "Koha Jonë" veçon dukurinë e ndotjes, duke paralajmëruar se "shqiptarët janë të rrezikuar nga makinat" për shkak të elementëve ndotës që çlirojnë në ajër.
Një tjetër argument social është ai i kartave të reja, ku e përditshmja citon studentë dhe pedagogë, të shprehen kundër sanksioneve të paralajmëruara nga qeveria.
Nga Berat Buzhala, publikohet opinioni "Një operetë rojaliste", që trajton jehonën që krijoi vizita e Leka Zogut në Kosovë dhe të kaluarën e dyshimtë të tij në Shqipëri.
Gazeta e përditshme "Shqip" hapet me titullin "Hetimet, skema e re për Durrës-Kukës". Sipas të përditshmes, Prokuroria ka ndryshuar strategji duke u përqendruar tani në raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. E përditshmja publikon dhe provat që nuk do të përdoren më për Bashën.
Nga argumentet e kronikës, "Shqip" veçon ngjarjen e Vlorës ku një djalë i mori jetën me armë zjarri, në gjendje të dehur, të atit dhe një shoku si dhe la të plagosur nënë e një kushëririn e tij.
Kjo gazetë publikon dhe një koment nga Andrea Stefani, me titull "Narcizmi Berishist si antiliri".
Kurse nga titujt sportivë, veçohet ai për trajnerin aktual të Kombëtares shqiptare të futbollit. Gazeta thotë se shkarkimi i Han është i sigurt, duke shtuar se "e shtuna është afati i fundit".
Gazeta tjetër e përditshme "Korrieri", publikon "Raportin sekret të Policisë: Balloi po ndërton jashtë ligjit në Gërdec".
Nga titujt politikë, veçohet një deklaratë e Bamir Topit i cili ka pohuar se "të ardhmen në politikë" do ta vendosë "hap pas hapi".
E përditshmja publikon dhe një letër që KLSh i ka dërguar qeverisë ku i deklaron se vlera e rrugës "Durrës-Kukës" po paguhet dyfish.
Kurse porsa i përket zgjedhjeve në PD, e përditshmja evidenton se Basha dhe Olldashi janë në garë për postin që aktualisht mban Bode.
E përditshmja "Standard", çelet me titullin "Brukseli: Heqja e vizave për Ballkanin, brenda fundit të vitit".
Nga komentet e ditës, veçohet ai i Ramiz Lushaj, "Vendi i gjuhës shqipe në BE".
Gazeta trajton dhe çështje social-ekonomike duke evidentuar se po "Rikthehen kooperativat bujqësore, kësaj here, private", duke iu referuar përvojës që ekziston në vendet e Bashkimit Evropian.
Gazeta "Albania", publikon si titull kryesor, "Ish-të përndjekurit, datat e aplikimit sipas skemës së re".
Në qendër të faqes gjenden faksimile dokumentesh, nën titullin "Firma Delijorgji-Balliu ndërtoi Fabrikën e Vdekjes", duke iu referuar Gërdecit.
Titull tjetër kryesor është "Televizioni Publik i Berishës, si televizioni i Enver Hoxhës".
Kjo e përditshme publikon edhe lajmin se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar PD në lidhje me Ligjin e Dosjeve dhe nënvizon titullin "Kushtetuesja: Nuk kemi konflikt interesi".
E përditshmja tjetër, "TemA", hapet me titullin: "Balliu dhe Delijorgji ndërtuan Fabrikën e Vdekjes në Gërdec".
Sipas të përditshmes, "Fahri Balliu, njeriu i afërt i kryeministrit Berisha, dhe Mihal Delijorgji, i akuzuari për vrasje masive në Gërdec, kanë ndërtuar së bashku fabrikën famëkeqe të demontimit".
Gazeta thotë se "skandali provohet nga dokumentacioni autentik që tregon se Balliu dhe Delijorgji kanë nisur punë në Gërdec të paktën që më 28 prill 2007, pa asnjë shkresë zyrtare".
Argumenti kryesor i ditës në të përditshmen "Metropol" është social. Gazeta hapet me titullin: "Alarmi, në 6 qytetet, ajri me lëndë kancerogjene".
Gazeta evidenton zonat e kryeqytetit, Durrësit, Fierit, Vlorës, Korçës e Shkodrës si më në alarm për situatën që vjen nga ndotja e mjedisit.
Nga Gëzim Tushi, lexohet opinioni "Po ndryshon apo po degjeneron martesa".
Â