Korçë, 15 prill, NOA - "Sebepi" i sherrit mes dy meshkujve, gjithmonë është një femër. Thënia e vjetër e Napoleonit të madh, duket se ka vlerë edhe në ditët e sotme, kur njerëzit ende qëllojnë dhe vrasin për shkak të dashurisë.
Një ngjarje e tillë ka ndodhur sot në qytetin e Korçës, ku një djalosh 25-vjeçar ka humbur jetën pas goditjes me thikë nga një shoku i tij.
Burimet e para nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur për agjencinë e Lajmeve NOA se ai quhet Elis Spaho dhe arsyeja që është goditur me thikë nga shoku i tij ka qenë një femër, por ende nuk dihet motivi i saktë që i çoi në grindje dy djemtë e rinj.
Duke iu referuar të dhënave të para të policisë, gjithçka ka ndodhur pas një grindje mes dy të rinjve në një lokal pranë konviktit të universitetit "Fan Noli" në qytetin e Korçës.
Ndërkaq, bëhet e ditur se i riu Spaho u dërgua menjëherë në spitalin e qytetit për të marrë ndihmën e parë mjekësore pas goditjes, por për fat të keq ai nuk mundi të shpëtojë pasi goditja ka qenë e thellë dhe sipas mjekëve, ajo kishte prekur rëndë zemrën e tij.
Policia e Korçës është duke kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore për zbardhjen e gjithë ngjarjes së rrallë, duke shoqëruar edhe një numër të madh personash, të cilët kanë qenë të pranishëm në momentet e ngjarjes në lokal dhe rreth tij.
Gjithsesi, një element i parë i rëndësishëm që jepet rreth saj prej burimeve policore, është ai i gjendjes së dehur në të cilën ndodheshin që të dy djemtë gjatë momentit të grindjes.
n.e/NOA