Moskë, 15 prill, NOA - Të gjithë kujtonin se ai vuante nga një kancer i rëndë në mushkëri, para se ta operonin dhe të zbulonin se cili ishte në fakt shkaku i vërtetë që i krijonte vështirësinë e madhe në frymëmarrje.
Kirurgët e habitur dhe të çoroditur nga ajo që u panë sytë, arritën të nxirrnin nga mushkëritë e një pacienti një bredh prej 5 centimetrash.
Ata kishin menduar në fakt se 28-vjeçari Artyom Sidorkin, kishte kancer të mushkërive, kur kishte filluar të kollitej dhe të nxirrte gjak, duke u ankuar për dhimbje të madhe në gjoks. Mirëpo derisa po e operonin për t'ia larguar tumorin, mjekët kanë mbetur të habitur kur kanë vërejtur një bredh i cili po rritej në mushkëritë e tij. "I mbylla sytë tri herë sepse mendova mos kisha haluçinacione", ka thënë kirurgu Vladimir Kamashev nga spitali Izhevsk në Rusi.
"Kisha dhimbje të madhe, mirëpo të them të drejtën nuk ndjeja praninë e trupit të huaj brenda meje", ka thënë Artyom. Mjekët besojnë se Artyom ka thithur farën e bredhit, e cila është zhvilluar në mushkëritë e tij dhe ka filluar të rritet, duke shkaktuar dhimbje të madhe. n.e/NOA