Tiranë, 15 prill NOA - U zhvillua sot ceremonia e ngritjes së flamurit të Shqipërisë dhe Kroacisë në selinë e Shtabit të NATO-s në Tiranë, që ndodhet pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Në këtë ceremoni të veçantë, e cila u organizua nga Shtabi i NATO-s në Tiranë, ishte i pranishëm zv.ministri i Mbrojtjes Petrit Karabina, zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Zyber Dushku, gjeneralë, ushtarakë të tjerë të lartë dhe drejtorë të drejtorive të MM-së_dhe SHP të FA-së etj.
Ndodheshin gjithashtu edhe ambasadorë dhe atashe ushtarakë të vendeve anëtare të NATO-s të akredituar në vendin tonë, përfaqësues nga Presidenca, Kryeministria, Ministria e Jashtme, si dhe mjaft të ftuar të tjerë.
Ceremonia nisi me ekzekutimin e Himnit të NATO-s dhe më pas vijoi me vendosjen e flamurit të Shqipërisë dhe të Kroacisë pranë flamujve të 26 vendeve të tjera anëtare të NATO-s.
Në fjalën e tij të përshëndetjes, komandanti i Shtabit të NATO-s në Tiranë gjeneral brigade Vasil Dimitrov theksoi se me 4 prill në Samitin e Strasburgut u bë anëtarësimi me të drejta të plota në NATO i Shqipërisë dhe Kroacisë.
Prandaj sot për ne është një ditë e bukur sepse flamuri i Shqipërisë dhe ai i Kroacisë valëviten në mes flamujve të tjerë të vendeve të NATO-s, që së bashku me këto dy vende përbëjnë 28 vende anëtare të kësaj Aleance.
Më tej gjeneral brigade Dimitrov foli për transformimin e FA Shqiptare dhe atyre kroate sipas standardeve të NATO-s dhe uroi dy vendet tona që të jenë anëtarë të denjë të NATO-s.
Në fjalën e tij zv.ministri i Mbrojtjes Petrit Karabina nënvizoi përpjekjet dhe kontributin e dhënë nga Forcat tona të Armatosura në përmbushjen e këtij objektivi madhor.
Ai theksoi se, prania e Shtabit të NATO-së prej disa vitesh në Shqipëri ka qenë një mbështetje e fuqishme për Forcat tona të Armatosura në procesin e tyre të transformimit dhe integrimit në strukturat e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Hyrja në NATO, u shpreh Karabina, nuk shënon aspak fundin e këtij procesi, por vazhdimin dhe thellimin e reformave për modernizimin e Forcave tona të Armatosura, duke i bërë ato tërësisht profesioniste dhe të afta për të kontribuar për sigurinë dhe paqen, në kuadër të integrimit të tyre në NATO.
Me këtë rast zv.ministri Karabina i përcolli edhe njëherë urimet më të mira FA Shqiptare për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Në këtë ceremoni të pranishmit i përshëndeti edhe ambasadori amerikan në Tiranë Johnn Withers II, si dhe ambasadori i Kroacisë Darko Javorski.
e.l/NOA
Â
Â