Tiranë, 15 prill, NOA - Partia Socialiste shpreh shqetësim të madh për shpërdorimin që sipas saj, kryeministri Sali Berisha po u bën nxënësve të shkollave me mitingjet e tij.
Denoncimi i kësaj dukurie ka mbërritur përmes një deklarate për shtyp nga kryetarja e komisionit të Edukimit në selinë rozë, Ledi Shamku
"Dje në rrethin e Durrësit plot 6 shkolla u detyruan të mos bëjnë mësim, pasi fëmijë e mësues u nxorën jashtë me pahir të dëgjonin propagandë qeveritare. Oborri i shkollës shtetërore "Beqir Çela" gëloi nga flamujt e partisë-shtet dhe nga britmat e mitingashëve të kryesuar nga vetë kryeministri", tha Shamku.
Duke shtuar më pas se shpura e kryeministrit mbërritë deri në atë pikë sa të nxirreshin nga klasat edhe nxënësit e fillores, fëmijët 10-vjeçarë.
"Ndjell frikë ngjashmëria e sjelljes së kryeministrit tonë me kohën e Enver Hoxhës kur nxënësit nxirreshin nga shkollat për të pritur udhëheqësit e Partisë. Kjo nuk ndodh sot as në Afrikë. Kjo dhunë mbi nxënës e mësues që merren me pahir të mbushin sheshet e zbrazëta të mitingjeve të PD-së, është dëftues i qartë i se diktatura këtu nuk ka dhënë shpirt", tha Shamku në konferencën e saj për shtyp.
n.e/NOA