English

Tre çanta me 145 kg marihuanë zbulohen nga policia në kishën e Dhrakës në Dhërmi

Vlorë, 15 prill NOA - Tre çanta në të cilat gjendeshin rreth 145 kilogramë lëndë narkotike e llojit marihuanë, u zbuluan dhe sekuestruan pasditen e sotme nga policia e Vlorës, pranë një kishe në Dhërmi, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.

Mësohet se droga e destinuar për t'u trafikuar përmes detit, ndoshta në Greqi, u gjet e futur në mënyrë të presuar, brenda tre çantave, të cilat trafikantët i kishin vendosur pranë kishës ortodokse të Dhrakës, vetëm pak metra larg nga bregu i detit.

Policia pranoi se zbulimi i sasisë së madhe të drogës erdhi pas një kontrolli që policia kufitare bregdetare e postës së Dhërmiut kreu në zonën e atjeshme, pas disa të dhënave të marra në rrugë operative.

Në përpjekje për të gjetur anëtarë të rrjetit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, policia momentalisht po kryen një valë kontrollesh e shoqërimesh në zonën e Dhërmiut, në rrezen disa kilometërshe të zonës ku u gjet droga e presuar.

e./lNOA

KOMENTE