Tiranë 15 prill NOA -Â USAID-i prezantoi sot një manual të ri mbi huamarrjen e qeverisjes vendore, për të mbështetur zhvillimin ekonomik në Shqipëri.
"Udhëzuesi për Huamarrjen e Qeverisjes Vendore" do të shërbejë si një mjet për rritjen dhe trajnimin profesional të administratorëve tatimorë vendorë dhe do të mbështesë drejtpërsëdrejti suksesin e reformës financiare të qeverisjes vendore dhe zhvillimin ekonomik vendor.
Në konferencën për shtyp në të cilën mori pjesë zv. Ministri i Financave, z. Sherefedin Shehu, Drejtoresha e Misionit të USAID-it, Roberta Mahoni, tha se ligji për huamarrjen e qeverisjes vendore është një instrument i ri financiar që do të rrisë në mënyrë thelbësore mundësitë financiare të njësive vendore për të zbatuar projekte prioritare.
Një proçes i suksesshëm huamarrjeje kërkon proçedura të qarta dhe transparente dhe një staf profesional dhe të trajnuar.
"Ky botim i mundëson administratorët vendorë të zbatojnë proçedura të suksesshme huamarrjeje dhe efiçiencë në përdorimin e parasë publike", tha zj. Mahoni.
"Njësitë e qeverisjes vendore që do të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë borxh në mënyrë efektive do të jenë të afta të përgatisin projekte të financueshme nga bankat dhe që promovojnë rritjen ekonomike vendore, përmirësojnë shërbimet, dhe përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve", shtoi zj. Mahoni.
Udhëzuesi u mbështet nga Ministria e Financave dhe do tu ofrohet të gjitha njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri.
Publikimi është një udhëzues praktik që do të ndihmojë administratorët vendore për të përftuar në mënyrë të suksesshme fondet e nevojshme për të zbatuar projekte prioritare të cilat janë identifikuar më parë nëpërmjet një proçesi gjithëpërfshirës.
Çështjet kryesore të cilat trajton Manuali janë: proçedurat për huanë afatshkurtër dhe huanë afatgjatë; llogaritja e kufijve ligjorë të huamarrjes së njësive të qeverisjes vendore; përgatitja e studimit të fizibilitetit të projektit dhe përzgjedhja e projektit prioritat për t'u realizuar; vlerësimi i ofertave të marra nga bankat; regjistrimi dhe raportimi periodik i huasë; roli dhe përfshirja e këshillit të njësisë së qeverisjes vendore dhe komunitetit. Ne mënyrë që të lehtësojnë punën e specialistëve të financave vendore, manuali është i shoqëruar me një CD ku përfshihen anekset e gjithë legjislacionit të nevojshëm për huamarrjen e qeverisjes vendore dhe fletëpune në excel për llogaritjen e kufijve ligjorë të huamarrjes.
Botimi u përgatit përmes Programit të USAID-it për Qeverisjen Vendore në Shqipëri (LGPA), i cili punon me bashkitë për nxitjen e zhvillimit të ekonomisë vendore, përmirësimin e qeverisjes vendore dhe fuqizimin e pjesëmarrjes së shoqërisë civile dhe të sektorit privat në zhillimin vendor.
Bashkitë partnere të LGPA-së janë: Fieri, Fushë-Kruja, Gramshi, Himara, Korça, Kukësi, Lezha, Librazhdi, Pogradeci dhe Shkodra.
e.l/NOA